PD: Shqipëria po tkurret përditë, bashkohuni me opozitën që ta pengojmë këtë

Shqipëria

PD: Shqipëria po tkurret përditë, bashkohuni me opozitën që ta pengojmë këtë

Më: 16 gusht 2021 Në ora: 17:53
PD

Partia Demokratike shprehu shqetësimin për shifrat e lindshmërisë së këtij viti në Shqipëri, të bëra publike nga INSTAT. Deputetja e zgjedhur demokrate, Flutura Açka tha se lindjet kanë rënë sepse familjet e reja nuk kanë siguri për të ardhmen.

“Shqipëria po mpaket përditë. Ikin shqiptarët nga atdheu që nuk u jep mundësinë të jetojnë me dinjitet. Nga të rinjtë që enden kafeneve përditë dëgjon vetëm të ankohen për papunësinë dhe mungesën e perspektivës. Pasiguria e së ardhmes i ka tutur familjet e reja shqiptare për të patur fëmijë, mijëra të tjerë të rinj nuk e shohin më atdheun e tyre si vendin për të ndërtuar familjen. Shifrat e lindshmërisë së këtij viti, janë trishtuese dhe ndjekin fatin e viteve të tjera; vetëm në tremujirin e dytë të 2021-shit, lindjet ranë me 10.6%. Shqiptarët po mpaken, Shqipëria po tkurret, por jo taksat për më të shumtët e tyre, që ua kanë vështirësuar jetën. Shqipëria është parajsë fiskale vetëm për një pakicë të zgjedhur të oligarkëve të oborrit rilindas, e cila gëzon bekimin e qeverisjes së korruptuar dhe kontrollin mbi paratë dhe djersën e shqiptarëve. Të gjitha premtimet për rritje pagash e pensionesh, mbetën në propagandën e tetë viteve të pushtetit të socialistëve, ndërkohë që miqtë e Edi Ramës kanë ekzkluzivitetin mbi përdorimin e pasurisë sonë kombëtare.”

Açka u kërkoi qytetarëve që të bashkohen me opozitën që tkurrja e Shqipërisë të ndalojë.

“A do ta lejojmë ende këtë erozion që po na ndodh? Kushdo që e ndien të jetë pjesë e betejës për kthimi  shpresës dhe dinjitetit të familjes shqiptare, ka vetëm një mundësi: të bashkohet me Opozitën në Platformën Qytetare për Demokracinë. Vetëm kështu do të mund ta ndreqim demokracinë dhe t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve, e zënë peng nga një pakicë e sponsorizuar nga regjimi që na ka pushtuar.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat