Fillimisht pritet të vijnë në Shqipëri rreth 350 afganë, që do të strehohen në konviktet e “Qytetit Studenti” në Tiranë.
Euronews Albania mësoi se studentët kanë nisur të zhvendosen prej atyre godinave, të cilat po bëhen gati për të pritur qytetarët nga Afganistani.
Emigrantët politikë u larguan nga vendi pasi talebanët morën nën kontroll pjesën më të madhe të Afganistanit.
Studentët janë njoftuar mbrëmë nga kujdestarët se duhet të lirojnë dhomat brenda dy ditësh. Akomodimi i studentëve pritet të bëhet tek godinat e tjera, që aktualisht posedojnë kapacitete të lira.
Teksa ka diskutuar me studentët, gazetarja Dorina Halili njofton se një pjesë e tyre nuk e ka pritur mirë urdhrin për t’u zhvendosur nga konviktet.
Burime diplomatike thanë se grupi i parë i afganëve, që do strehohen në vend janë përkthyes dhe bashkëpunëtorë të niveleve të ndryshëm të strukturave amerikane në Afganistan.
Ata do të mbërrijnë në Shqipëri bashkë me familjet e tyre, ndërsa për procedurat e akomodimit dhe strehimit të tyre do të kujdeset posaçërisht një ministër i kabinetit të qeverisë Rama.