Rastet e infektimeve me Covid po vijnë në rritje. Nga poliklinika numër 1 ku njoftoi nisjen e vaksinimit në 4 poliklinika në kryeqytet ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se ne dy javët e fundit incidenca e infektimeve është dyfishuar.
“Tregon një rritje të transmetueshmërisë dhe qarkullimit të variantit Delta. Ajo çfarë vërehet në këto javë, është rritja e qarkullimit në grupmoshat mbi 55 vjeç, që janë ato që janë më të prekura. Por sigurisht ka edhe grupmosha të më të rinjve”.
Duke folur për fillimin e vitit të ri shkollor, Manastirliu bëri me dije se po punohet për hartimin e udhëzimeve të reja, me masa parandaluese.
“Ne do të vijojmë që të përqendrojmë të gjithë forcat tona për sa i përket vaksinimit. Por nga ana tjetër pa lënë mënjanë edhe masat e thjeshta, siç janë maska, distanca, higjiena. Të tre këto masa të thjeshta, të cilat janë në mbrojtje të shëndetit publik dhe që për të cilat ne do të vijojmë që të kemi masa shtesë edhe në protokollet të cilat ne jemi duke ndërtuar. Mos harrojmë që shumë shpejt do të fillojë viti i ri shkollor. Më tej do të fillojnë edhe universitetet. Janë të gjitha çështje të cilat janë në diskutim në Komitetin e Ekspertëve, me Institutin e Shëndetit Publik, për të gjitha protokollet të cilat janë duke u rifreskuar nga ekspertët tanë”.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, e konsideroi vaksinimin e mësuesve detyrim moral.
“Kjo është një javë e cila ka bërë ndryshim në lidhje edhe me përdorimin e vaksinës por edhe me rritjen e dozave të para dyfish. Mësuesit kanë një detyrim moral të vaksinohen. Nuk vaksinohen vetëm për veten, por kanë edhe një detyrim moral me fillimin e shkollës. Ashtu siç e kanë edhe mjekët, personeli shëndetësor”.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total mbi 1mln e 340mije doza të vaksinës anti-COVID. Prej tyre mbi 575 mijë qytetarë i kanë marr të dy dozat e vaksinës.