Merkaj: Gjatë korrikut në Rinas hynë 100 mijë persona më shumë se 1 vit më parë

Shqipëria

Merkaj: Gjatë korrikut në Rinas hynë 100 mijë persona më shumë se 1 vit më parë

Më: 19 gusht 2021 Në ora: 12:06
Ilustrim

Sezoni veror ka shtuar ndjeshëm fluksin në pikat kufitare në hyrje të Shqipërisë ndërkohë që vetëm nga Aeroporti i Rinasit, nga 1 korriku kanë hyrë 100 mijë persona më shumë se një vit më parë.

Kreu i departamentit të kufirit në policinë e shtetit ndoqi nga afër masat e marra në Aeroportin e Rinasit për përballimin e fluksit në hyrje të turistëve dhe shtetasve shqiptarë që janë rezident në vende të ndryshme të BE-së.

"Që me lehtësimin e kushteve për të hyrë në vendet e BE-së, fluksi ka qenë në rritje, krahasimisht edhe me 2019 që ka qenë një vit relativisht me shumë fluks. Vetëm në Komisariatin e Rinasit, nga data 1 korrik deri sot, ka një rritje prej 100 mijë personash. Kjo rritje nuk është parë vetëm në Rinas, por në të gjitha pikat e kalimit kufitar ka një fluks të shtuar. Kryesisht hyrja është për arsye turizmi, ndërsa pjesa tjetër e personave që duan të hyjnë në Shqipëri janë për arsye pune ose për arsye të tjera të ndryshme," tha Merkaj.

Krahas masave lehtësuese për turistët policia kufitare ka marrë masa për parandalimin e krimeve ndërkufitare, si kapja e personave në kërkim, goditja e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike, deri te përdorimi i dokumenteve të falsifikuara në pikat e kalimit kufitar.

Gjatë sezonit turistik, Policia Kufitare në Rinas ka kapur 13 persona të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, si dhe janë proceduar gjithsej  40 shtetas, 11 prej tyre për falsifikim dokumentesh.

Kreu i policisë kufitare tha se janë marrë masa administrative për pronarët e mjeteve lundruese ose argëtuese siç janë motorët e ujit, duke u kërkuar të zbatojnë ligjet dhe procedurat pa cenuar qetësinë e turistëve dhe pushuesve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat