Sezoni i verës nuk ka vetëm pushime por edhe dasma, kryesisht nga emigrantët që zgjedhin këtë periudhë për të kurorëzuar dashurinë.
I ftuar në një prej tyre ka qenë kreu i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici.
Ish-kryeministri, Sali Berisha, i ndihmuar nga qytetari dixhital që e mban të informuar për çdo zhvillim ka publikuar një video ku shihet Gjici teksa hedh lekë dhe kërcen valle.
"Kukësi digjet Gjici perdridhet" shkruan Berisha duke ironizuar kështu shfaqjen e Gjicit ndërsa Kukësi vuan nga zjarret.
Ndonëse po punohet nga toka dhe ajri, sërish situata me zjarret në Majën e Rrunës vijon të mbetet kritike. Terreni malor vështirëson edhe punën e zjarrfikësve, ndërsa flakët po shkojnë në drejtim të fshatit Shmëri.
Problematike është situata edhe në vendin e quajtur stanet e fshatit Morin, mali i Koritnikut, zonë e mbrojtur e parkut natyror Korab-Koritnik.
Në Has, fatmirësisht është izoluar zjarri në zonën pyjore afër fshatit Metaliaj dhe po punohet për shuarjen e plotë të flakëve.