Kryeministri Edi Rama ka zbuluar se shefja e Infektivit, Najada Çomo ka hequr dorë nga mandati i deputetit.
"Najada Çomo kërkoi të lërë mandatin e deputetes", u shpreh kryeministri në fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës.
Sipas Ramës, deputetja që u zgjodh nën siglën e PS, do që t'i përkushtohet punës në spitalin Infektiv me pacientët me covid.
"Najada Çomo më kërkoi të tërhiqej rolin e saj si deputete kur Delta nisi të mbushë shtretërit e terapisë intensive. E falenderoj për këtë shembull kuptimplotë dhe i them sot një faleminderit shumë të madhe. Lufta nuk ka mbaruar, vjeshta dhe dimri mund të jenë të vështirë", tha Rama.
Najada Çomo u rendit e dyta në listën e sigurtë të deputetëve të PS në Tiranë, pas Luljeta Bozos për zgjedhjet e 25 prillit. Ajo fitoi 1400 vota.