“Zbulimi”: PS-PD biseduan në korrik për pasardhësin e Gramoz Ruçit

Shqipëria

“Zbulimi”: PS-PD biseduan në korrik për pasardhësin e Gramoz Ruçit

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 17:50
Lulzim Basha dhe Edi Rama

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë zhvilluar negociata “indirekte” dhe jozyrtare me njëra-tjetrën përgjatë muajit korrik për të gjetur një emër konsensual si kryetar të Kuvendit në Parlamentin e ri.

“Zbulimi” bëhet në një raport të Institutit të Studimeve Politike që thotë se negociatat dështuan, ndërsa burime të Gazetës Shqip nga të dyja palët konfirmojnë se ka pasur përpjekje në këtë drejtim.

“Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Në aspektin përfaqësues do të ketë rëndësi individi i zgjedhur nga PS për të pasuar z.Ruçi si kryetar i parlamentit, si dhe oferta e mazhorancës për ndarje me opozitën të drejtimit të jetës parlamentare. Disa negociata indirekte midis palëve gjatë muajit korrik për dhënien e drejtimit të parlamentit opozitës, nuk kanë pasur sukses”, deklaron Instituti i Studimeve Politike.

ISP këshillon se zgjedhja e një profili të moderuar nga PS do të ndihmonte në funksionalitetin e Parlamentit. “Nga ana tjetër, zgjedhja e ndonjë figure militante partiake, do të ishte investim për dobësim të rolit të parlamentit dhe për konflikt permanent parlamentar midis mazhorancës dhe opozitës”.

Në të njëjtin raport, Instituti i Studimeve Politike rendit edhe disa nga prioritetet e parlamentit të ri. Parlamenti i ri do të pritet të ketë prioritet një agjendë të re lidhur me integrimin e vendit në BE në prirje të konferencës së parë BE - Shqipëri, si dhe të ndërhyjë në Kushtetutë për të zgjidhur mosmarrëveshjet lidhur me mandatet kushtetuese të strukturave të vettingut, që skadon në korrik 2022.

Debati tjetër kryesor në shtator pritet të lidhet me mandatin e Berishës si deputet, pas kërkesës së palës amerikane për largimin e tij nga parlamenti. PD nuk ka ende një vendim zyrtar, ndërkohë që Berisha vazhdimisht ka bërë të qartë se mbetet aktiv edhe në legjislaturën e re. Berisha ka ndikim direkt në një pjesë të grupit parlamentar të PD, si dhe në përqindje më të lartë tek anëtarësia militante dhe strukturat lokale të saj. PD pritet të marrë një vendim të ndërmjetëm dhe jo përfundimtar përpara nisjes së legjislaturës së re dhe pas zgjedhjes së kryesisë dhe sekretariatit të ri. E njëjta situatë dhe vendimmarrje pritet edhe për disa raste të tjera parlamentare në secilin krah kryesor politik.

Parlamenti i ri pritet të ketë në përbërje individë me probleme në rekordet personale në raport me kriteret e integritetit dhe të dekriminalizimit. Në parlamentin e ri ka deputetë të sponsorizuar nga grupe informale dhe në raste të veçanta, edhe grupe me lidhje kriminale, etj, të cilët do të përpiqen të ndikojnë në vendimmarrjen e tij. Disa deputetë të “vjetër” dhe prurje të reja janë objekt në dosje të nisura hetimore. Procesi i dekriminalizimit do të vijojë të ketë ndikim dhe të sjellë edhe ndryshime edhe në përbërjen e parlamentit të ri.

Një që kërkon bisedime politike dhe konsensus parlamentar është nevoja e rikonfigurimit të përfaqësimit politik në qeverisjes vendore. Opozita nuk është pjesë e qeverisjes vendore pas bojkotit të vitit 2019, por nga ana tjetër, janë disa bashki me kryetarë të emëruar dhe në pozita antikushtetuese, për shkak të mosmarrëveshjeve midis Presidentit, qeverisë dhe opozitës. Çdo vendim i GJK në këtë drejtim do të duhet të pasojë zgjidhjen politike, kalimin në zgjedhje të reja të përgjithshme lokale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat