Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka reaguar lidhur me shpërthimin me eksploziv në makinën e kryetarit të kësaj sindikate, Elton Debreshi.
Në një postim në facebook në faqen e saj zyrtare, Sindikata thotë se tritoli nuk mund ta ndalë përpjekjen e tyre.
"Sot në orët e para të mëngjesit ka shpërthyer makina e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshit".
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës kujton se që prej themelimit të saj, ndaj Eltonit dhe shokëve të tjerë ka pasur shpesh përndjekje e kërcënime.
"Mesazh" sindikalistit të minatorëve, eksploziv makinës së ish-kandidatit për deputet në Bulqizë
"Sot arritën te tritoli. Mafiozët, oligarkët dhe pushtetarët që na marrin kromin duan të na marrin edhe jetën nëse themi të vërtetën dhe mbrojmë të drejtat tona.Po ne nuk heshtim. Ne nuk ndalemi" përfundon deklarata.
Disa persona janë shoqëruar nga Policia e Bulqizës në lidhje me eksplozivin që shpërtheu në makinën kreut të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar, Elton Debreshi.
Ky i fundit kandidoi për deputet i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit por nuk mori vota mjaftueshëm.