Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të premten i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se platforma për demokracinë do të bëjë bashkë të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë për të shpëtuar vendin nga sundimi i një pakice që mban peng të ardhmen e tij.
Basha tha se beteja e PD dhe shoqërisë shqiptare nuk është kundër Partisë Socialiste, por kundër pakicës së korruptuar që ka kapur shtetin dhe e plaçkit atë me një grusht të vogël njerëzish, me të cilët masakron zgjedhjet, kriminalizon politikën dhe shkatërron ekonominë.
“Shqiptarët i’a dinë dështimet, raportet ndërkombëtare i’a kanë ekspozuar babëzinë, askush nuk gënjehet nga ripërtypja e fjalimeve të vjetra të atij që ka varfëruar familjet shqiptare dhe ka degdisur gjysmë milioni shqiptarë.
Përballë këtij regjimi, kemi detyrën qytetare të bashkohemi dhe të punojmë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend”, tha Basha.