Kryeministri Edi Rama, nga Sllovenia ku po merr pjesë në një samit, ka folur për BBC-në lidhur me afganët që kanë ardhur në vendin tonë.
Ai tha se afganët janë strehuar përkohësisht në Shqipëri, por theksoi se ata që duan mund të vendosen në vendin tonë.
Ai u shpreh se ka kaq shumë afganë që kanë aplikuar për vizë për të shkuar në SHBA por numri i tyre i madh do të bëjë që koha e largimit të tyre drejt tokës amerikane do të zgjasë më shumë nga sa është thënë në fillim.
Rama: Ne kemi qenë në këtë pozitë jo shumë kohë më parë. 30 vite më parë ishim ne afganët që përpiqeshim të largoheshim nga ferri për të mbërritur në Europë. Ka qenë mjaft e ngjashme sa i takon ankthit përballë të panjohurës. Kjo nderon historinë dhe traditën tonë. Po bëjmë diçka që unë besoj që ua detyrojmë edhe fëmijëve tanë, që të rriten me besimin që në jetë ka një kohë të japësh dhe një kohë të marrësh. Ne nuk jemi vend i pasur por besoj se kemi mjaftueshëm për të ndarë me këta njerëz. Ne nuk jemi vetëm. Ka shumë organizata që kujdesen për ta.
Rama përmendi edhe shprehjen shqiptare “bukë e kripë e zemër”, duke theksuar se këto nuk do iu mungojnë afganëve në Shqipëri.
Rama: Ne për momentin po mbështetemi vetëm te bashkëpunimi me njerëzit që kanë zemër të pasur. Është një numër i konsiderueshëm njerëzish që e kanë zemrën të pastër. Kemi një thënie në Shqipëri “bukë, kripë dhe zemër”. Nuk do ju mungojnë këto të treja. Për pjesën tjetër do ia dalim. Ne mirëpritëm gjysmë milionë gjatë kohës së spastrimit etnik në Kosovë. Atëherë ishim edhe më të varfër. U pasuruam edhe më shumë në shpirt dhe mësuam se në këtë jetë kujtesa është shumë e rëndësishme. Jemi aty t’u themi se mund ta ndjejnë vetëm në shtëpi. Bëmë atë që do donim që të tjerët të bënin për ne. Është një moment përmbushës për ne. Shumica e shqiptarëve po tregojnë se jemi të jashtëzakonshëm.