Ditën e premte, 10 shtator, Kuvendi i Shqipërisë do të mbushet me 140 përfaqësuesit e rinj të zgjedhur nga vota e “25 prillit”. Presidenti Ilir Meta ka lëshuar dekretin ku edhe thërret mbledhjen e parë të Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Dekreti ka hyrë në fuqi menjëherë, ndërkohë që kryeministri Edi Rama duhet që të nxitojë me përzgjedhjen e emrave të kabinetit të tij për mandatin e tretë, të cilët gjithashtu duhet që të betohen para kreut të shtetit.
Rreth 6 muaj më parë, në zgjedhjet parlamentare, Partia Socialiste që mori për herë të tretë mandatin për të qeverisur vendin, pasi votuesit i siguruan në kutitë 768134 vota. Ndryshe 74 ulëse në Kuvend. PD-ja u rendit e dyta me 622187 vota dhe në shtator do të hyjë në Kuvend me 59 deputetë. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim mori 107.538 vota, të përkthyera ndryshe në 4 mandate, e ndjekur nga Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, e cila mori 3 vende.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/September/01/auto_-640-0-612f7948a6e2b1630503496.jpg)
Por ajo që është me pikëpyetje, tashmë nëse presidenti Meta do të do ta dekretojë qeverinë e re Rama 3? Presidenti Ilir Meta para zgjedhjeve të 25 prillit ka deklarur se nuk t’ia japë fimrën për kryeministër Edi Ramës, edhe nëse ky i fundit merr mandatin e tretë, pa cënuar zgjedhjet e lira.
I ftuar në një emision televiziv, Meta tha se ai nuk do t’ia japë firmën për kryeministër, por do t’i dorëzojë dorëheqjen e tij. Presidenti shtoi se do ta respektojë vendimin e popullit dhe do të dalë në shesh, duke dorëzuar zyrën.
Por presidenti duket se nuk e ka mbajtur fjalën, ai as nuk dha dorëheqje dhe as nuk dorëzoi zyrën por pranoi rezultatin dhe iu bind kushtetutës. Presidenti i para zgjedhjeve me Metën e tanishëm duken dy botë të ndryshme, por rezultati zgjedhor bëri që presidenti të ulte kokën dhe të pranonte vendimin e sovranit.
Gazeta Shqip u interesua duke pyetur juristin Idajet Beqiri, në lidhje nëse presidenti i shkarkuar nga parlamenti me 104 vota, mundet ligjërisht të dekretojë qeverinë Rama 3?
Beqiri tha se: Moralisht e ka të vështirë, mirpo morali nuk pi ujë para Kushtetutës! Me Kushtetutë Presidenti është President i Republikës deri ditën që Gjykata Kushtetuese vendos të miratoj Vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e tij. Deri ditën që Gjykata Kushtetuese të miratoj Vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti i Republikës është në detyrë dhe ka të drejtë të dekretoj Qeverinë e re, u shpreh avokati Idajet Beqiri.
Kujtojmë se në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët votuan në favor të shkarkimit të presidentit, Ilir Meta me 104 vota, duke thënë se ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës.
Pas një debati që zgjati rreth katër orë, kuvendi fillimisht votoi raportin nga Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta me 104 vota për, shtatë kundër, dy abstenim dhe një fletëvotimi ishte i pavlefshëm.