Vizita e mundshme e Angela Merkel në Tiranë në datën 1 shtator ishte lajmi që qarkulloi me shpejtësi kryesisht në mediat online pasditen e kësaj të mërkure.
Nisur nga fakti që nuk kishte një konfirmim zyrtar mbi këtë vizitë, mediat shqiptare iu drejtuan me një shkresë zyrtare zyrës së shtypit të Kancelares. Përgjigjja e shpejtë e zyrës se Merkel ishte se ata nuk mund të konfirmojnë për momentin një vizitë të tillë, pasi axhenda e takimeve përgatitet një javë përpara dhe bëhet publike çdo të premte në konferencë për shtyp.
“Ju lutemi, na mirëkuptoni se ne i shpallim gjithmonë takimet zyrtare të Kancelares të premten e javës para aktivitetit, në konferencës për shtyp të qeverisë”, u përgjigj zyra e shtypit të Kancelares.
Në këtë mënyrë, zyra e shtypit e Merkel në përgjigjen e kthyer me email as nuk konfirmon dhe as nuk mohon ardhjen e Merkel në Shqipëri, në një takim me liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.