Delta apo Alfa? Cili nga variantet e Covid rezulton më i rrezikshëm në Shqipëri

Shqipëria

Delta apo Alfa? Cili nga variantet e Covid rezulton më i rrezikshëm në Shqipëri

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 21:18
Shqipëri

Prej disa javësh Shqipëria është mbërthyer nga varianti Delta i covid19, ndërsa rastet ditore të infeksioneve kanë shkuar deri në 1 mijë.

Referuar një studimi të bërë nga epidemiologu Ilir Alimehmeti, rezulton se vala Delta duket qartësisht më e qetë në Shqipëri në krahasim me valën Alfa, që mbërtheu vendin tonë gjatë dimrit.

Teksa iu referohet të dhënave zyrtare të ministrisë së Shëndetësisë, epidemiologu ka bërë edhe një panoramë të qartë, duke krahasuar dy periudhura të ndryshme dhe dy variante të ndryshme të koronavirusit, Alfa-Delta dhe dimër –verë.

Dy janë gjetjet kryesore:

a)Shtrimet në spital gjatë valës Delta janë 11.4 fish më të ulëta se sa gjatë valës Alfa

b) Humbjet e jetës gjatë valës Delta janë 13.8 fish më të ulëta se sa gjatë valës Alfa

Për të hedhur pak dritë mbi ecurinë e variantit delta, le ta krahasojmë atë me ecurinë e variantit alfa në Shqipëri.

Në grafikë janë krahasuar dy periudha:

-10 korrik 2021 – 31 gusht 2021 (53 ditë) që përkon me valën Delta, dhe

-7 janar 2021 – 28 shkurt 2021 (53 ditë) që përkon me mbizotërimin e valës Alfa.

Kujdes! Edhe pse varianti alfa mbizotëronte në dimër, nuk përjashtohet mundësia e qarkullimit edhe të varianteve të tjera.

Të dhënat janë të gjitha zyrtare, të marra nga buletini ditori i Ministrisë së Shëndetësisë, Shqipëri! Gjatë këtyre periudhave nuk ka asnjë ndryshim në metodologjinë e survejancës, të testimit dhe të raportimit të rasteve, shtrimeve dhe humbjeve të jetës.

Rezultatet

Në valën Delta janë kryer 17.6% më shumë testime se sa në valën Alfa (p < 0.001):

223.519 në valën Delta: mesatare ditore 4217 ± 1.435 testime.

190.072 në valën Alfa: mesatare ditore 3.586 ± 608 testime.

Ecuria e testimeve mund te shihet ne Grafikun 2, ku mund të verehet se:

-në gjysmën e parë të periudhave të studiuara ecuria e testimeve ditore është e ngjashem;

-në gjysmën e dytë të periudhave të studiuara janë bërë shumë më shumë testime gjatë valës Delta, pra 3 javët e fundit.

Gjatë valës Delta vërehen 3.3 fish më pak raste se sa gjatë valës Alfa (p < 0.001):

13.805 raste gjatë valës Delta;

46.159 raste gjatë valës Alfa.

Pozitiviteti mesatar i testimeve gjatë valës Delta është 3.9 fish më i ulët se sa gjatë valës Alfa (p < 0.001):

13.805 / 223.519 = 6.2% gjatë valës Delta,

46.159 / 190.072 = 24.3% gjatë valës Alfa.

Shtrimet në spital gjatë valës Delta janë 11.4 fish më të ulëta se sa gjatë valës Alfa (p < 0.001):

36,4 numri mesatar i të shtruarve në spital gjatë valës Delta,

413,9 numri mesatar i të shtruarve në spital gjatë valës Alfa.

Humbjet e jetës gjatë valës Delta janë 13.8 fish më të ulëta se sa gjatë valës Alfa (p < 0.001):

42 humbje jete gjatë valës Delta,

579 humbje jete gjatë valës Alfa.

Vdekshmëria e rasteve me Delta (CFR – Case Fatality Rate) rezulton 4.2 fish më e ulët se sa gjatë valës Alfa (p < 0.001):

0.3% = 42 / 13.805 gjatë valës Alfa,

1.25% = 579 / 46.159 gjatë valës Delta.

Delta CFR = 0.3% është raportuar në raportin e ECDC të datës 23.06.2021 dhe të dhënat shqiptare e konfirmojnë.

Kujdes:

Këto janë përllogaritje bruto dhe do të rafinohen kur të mbyllet vala Delta.

Por, në të gjithë indikatorët vala Delta duket qartësisht më e qetë në Shqipëri në krahasim me valën Alfa, edhe pse numri i testimeve është shtuar gjatë valës Delta dhe ka një dokumentim më të lartë.

Ky efekt është rrjedhojë e:

Numrit të lartë të personave që e kanë kaluar infeksionin në rrugë natyrore, dhe

Numrit të personave të vaksinuar, sidomos të personave në kategoritë vulnerabël.

Image
Image
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat