Që pas asgjësimit të bandës së tij në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Ilir Meta ka nisur të japë disa sinjale, duke kërkuar pazar dhe një mundësi të fundit, për t’i shpëtuar shkarkimit të kësaj vjeshte, shkarkim i cili do ta çonte në dyert e SPAK pa imunitet.
Vendimi për asgjësimin e LSI-së, shkarkimin e Ilir Metës dhe fundin e tij në politikën shqiptare është marrë natën e 23 prillit 2021, kur Ilir Meta shpërtheu kundër SHBA dhe ambasadores amerikane Yuri Kim, ndërsa i shpalli edhe zgjedhjet parlamentare një referendum kundër SHBA dhe reformës në Drejtësi. Pas natës së 23 prillit, e konsideruar edhe si nata e kalimit të vijës së kuqe, Ilir Meta ka marrë disa mesazhe serioze për fatin e tij.
Së pari, partia e tij u shkri në zgjedhje, duke u defaktorizuar.
Së dyti, Kuvendi, nën vëzhgimin e SHBA-BE, shkarkoi Metën edhe për cenim të marrëdhënieve me SHBA.
Së treti, presidenti amerikan Joe Biden firmosi një urdhër duke i shpallur luftë korrupsionit në Shqipëri dhe duke bllokuar pasuritë e Ilir Metës dhe Sali Berishës në SHBA.
Duke parë fundin e tij të pakthyeshëm në horizont, Ilir Meta bëri një kthesë të fortë politike, ndërsa ditët e fundit ka dhënë disa mesazhe të qarta se kërkon pazar për të shpëtuar. Fillimisht, Meta ndërpreu çdo sulm kundër SHBA-BE. Më pas, ndërpreu praktikën e kthimit të ligjeve të miratuara nga Kuvendi për rishqyrtim, duke dhënë një tjetër mesazh zbutje. Disa ditë më parë, pa asnjë rezistencë, Ilir Meta njoftoi mbledhjen e Parlamentit të ri në 10 shtator, duke njohur kështu zgjedhjet parlamentare dhe duke pranuar Kuvendin e ri si legjitim.
Me këtë dekret, ndryshe nga sa kishte paralajmëruar, Meta pranoi edhe qeverinë e re të Edi Ramës. Në këmbim të një mundësie të fundit për të shpëtuar nga ky moment kritik, Ilir Meta është gati të firmosë symbyllur kabinetin e ri qeveritar të Edi Ramës.
Po a do ta pranojë Edi Rama këtë pakt mafioz kundër shqiptarëve dhe Perëndimit, duke shpëtuar Ilir Metën nga shkarkimi, përmes votave që kontrollon në Gjykatën Kushtetuese? Historia ka treguar se Edi Rama dhe Ilir Meta kanë kaluar nga grindja për jetë e vdekje në pazare për pushtet dhe kontroll. Por, këtë radhë në lojë janë amerikanët.
‘Koka’ e Ilir Metës nuk kërkohet për ndonjë vjedhje apo pazar, por sepse ka sulmuar SHBA dhe i ka shpallur amerikanët vrasës.
Në këto rrethana, Edi Rama i është përgjigjur mbrëmë kërkesës së Metës për pazar. Rama tha se rrugët me Ilir Metën janë ndarë përgjithmonë. “Për sa kohë është në zyrë, do respektojmë Kushtetutën. Janë ndarë rrugët mes PS dhe Ilir Metës. Janë të pakthyeshme”./Pamfleti