Objektet e ndërtuara gjatë kohës së komunizmit, asaj otomane apo dhe të kohës së Zogut që i kanë mbijetuar kohës në Gjirokastër, i janë nënshtruar procesit të certifikimit.
Drejtori i Kadastrës, Artan Lame, teksa shpërndau 80 certifikata pronësie, u shpreh se janë zgjidhur edhe çështje ku të përfshirë kanë qenë shumë bashkëpronarë.
"Ligji i ri e mbyll procesin edhe kur ke shumë mungesë dokumentacioni dhe lë pastaj një afat 30 ditor publikimi ku i bëhet me dije kujdo qytetari që për Besnikun është marrë ky vendim, ke 30 ditë kohë nëse ke pretendime, të ankohesh që të ndërpritet procesi pastaj ajo hyn në fuqi."
Lame tërhoqi vëmendjen e qytetarëve që të përdorin portalin e-Albania për të aplikuar dhe tërhequr dokumentet e tyre.
Gjirokastra si qytet historik ka problematika të pafundme të trashëguara si mungesa e dokumentacionit, djegia e Kadastrës në vitin 1997 apo mosmarrëveshjet midis trashëgimtarëve.