Gert Bogdani nga Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me mungesën e ujit në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë prej disa ditësh.
“Më lajmërojnë banorët se Komuna e Parisit ka disa ditë pa ujë! Është e papranueshme që një lagje e tërë e Tiranës të mos furnizohet me ujë! Ndërkohë që ujësjellësi i Bashkisë së Tiranës paguan miliona leke për PR, jo vetëm që nuk merr asnjë masë për rritjen e cilësisë së ujit, që vazhdon të jetë i papijshëm, por për më tepër nuk garanton as furnizimin minimal të lagjeve të kryeqytetit!”, thotë Bogdani.
Përfaqësuesi i PD shkruan se çmimi i uit është rritur, ndërsa qytetarët nuk marrin as cilësi dhe as furnizim të shtuar.
“Depozitat e ujit dhe pompat vazhdojnë të jenë pjesë e panoramës së qytetit dhe përditshmërisë së banorëve! Ndërkohë, edhe pagesat shtesë për ta blerë ujin e pijshëm, rëndojnë në xhepat e familjeve të Tiranës. Çdo fushatë elektorale Veliaj ka premtuar 24 orë ujë, ndërkohë vazhdon të dështojë në këtë drejtim! Furnizimi me ujë të pijshëm është jo thjesht zgjidhja e një domosdoshmerie, por garantimi i një minimumi jetik e bazik. Është turp që në vitin 2021 të diskutohet ende furnizimi me ujë të pijshëm, sidomos në një vend e qytet që resurset ujore natyrore i ka me bollëk!”, thotë Bogdani.