Një paradoks politik pritet të ndodhë në Shqipëri, mazhoranca e rikonfirmuar që votoi për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit pret me padurim që kreu i shtetit të dekretojë dhe ta mandatojë për postin e kryeministrit Edi Ramën.
Shkresa është dërguar zyrtarisht nga Partia Socialiste ditën e djeshme dhe se tashmë mbi skrivaninë e Metës ndodhet propozimi për dekretuar Ramën. Janë ngritur shumë aludime nëse Meta do të pengojë apo do ta vonojë duke u kapur pas procedurave kohore për të dekretuar njeriun e propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve të 25 prillit.
Të premten e 10 Shtatorit mblidhet Parlamentin i ri. Në seancën e parë ngrihet komisioni prej tre anëtarësh që përgatit raportin pasi bën verifikimin e mandatit të 140 deputetëve. Nisur nga e kaluara, nuk përjashtohet mundësia që brenda të së njëjtës ditë, të zhvillohet edhe një seancë tjetër parlamentare ku votohet raporti i komisionit.
Nga ky moment, presidenti Ilir Meta mund të nxjerrë dekretin që e mandaton Ed Ramën si kryeministër. Ky i fundit ka dhjetë ditë kohë të prezantojë Kuvendit kabinetin e ri qeveritar dhe programin qeverisës. Pas miratimit me votë, Edi Rama i çon Ilir Metës për dekretim emrat e ministrave.
Kreu i shtetit ka shtatë ditë kohë për t’u shprehur. Pas dekretimit, kryeministri, zëvendësi i tij dhe 15 ministrat bëjnë betimin te presidenti.
Në më të shumtën emrat e përzgjedhur nga Edi Rama për të qenë ministra janë dekretuar më herët nga Ilir Meta. Përjashtim bëjnë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e Bujqësisë Frida Krifca, e Fëmijëve dhe Rinisë Bora Muzhaqi dhe e Sipërmarrjes, Edona Bilali. Të tjerët e kanë kaluar filtrin e duhur e kanë marrë më parë bekimin e presidentit. Nëse kalohen të gjitha filtrat atëherë ministrave socialistë do t’iu duhet që të betohen para një presidenti që kanë votuar për ta shkarkuar.