Janë me qindra emigrantë të paligjshëm të cilët vijnë nga vendet e luftës me përpjekjen për të arritur drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Prej disa vitesh tanimë Shqipëria është vend "tranzit" për këta persona.
Qarku i Korçës, kufi ndarës midis Republikës së Shqipërisë dhe shtetit grek shërben si portë hyrëse për qindra prej tyre.
Vetëm të dielën e parë të shtatorit janë kapur mbi 100 persona të shtetësive nga vendet e lindjes. Konkretisht drejtoria vendore e policisë ka ndaluar në Vloçisht të Maliqit 40 prej tyre, 35 në fshatin Mborje dhe 25 në Drenovë të Korçës.
Po ashtu, në operacionin e saj "Perimetri", policia të shtunën lajmëroi se 68 emigrantë të paligjshëm janë ndaluar në Pogradec.
Ata po transportoheshin me kamion e është bërë i mundur arrestimi i drejtuesit të kamionit, 40-vjeçarit Edlir Koko nga Gjirokastra, i cili në momentin e ndalimit u mundua të korruptonte edhe forcat policore.
E teksa "lumi" i emigrantë të paligjshëm vazhdon të vërshojë në vendin tonë, të shumtë janë edhe personat e proceduar nga policia, të cilët u premtojnë refugjatëve çuarjen në kryeqytet në këmbim të shumave të majme.