Kushtetuesja brenda 8 ditëve mbyll shqyrtimin e dosjes për Metën

Shqipëria

Kushtetuesja brenda 8 ditëve mbyll shqyrtimin e dosjes për Metën

Më: 6 shtator 2021 Në ora: 09:05
Ilir Meta

Shtatori pritet të jetë një muaj tejet i ngjeshur politik. Përveçse betimit të Parlamentit të ri, votimit të qeverisë së re, vendimit të Partisë Demokratike nëse do të distancohet ose jo nga Sali Berisha pas shpalljes së tij “non grata” nga amerikanët edhe Gjykata Kushtetuese pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme. Aktualisht në këtë gjykata, dy janë çështjet më të rëndësishme, të cilat presin të shqyrtohen. E para është vlefshmëria ose jo e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit 2019 dhe e dyta është shkarkimi i Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Sa u takon zgjedhjeve lokale, Kushtetuesja i është drejtuar me një opinion Komisionit të Venecias dhe është në pritje të mbledhjes së tij, ndërkohë që për shkarkimin e Metës nga Kuvendi është në limitet e kohës për t’u shprehur.

Kushtetuesja brenda 8 ditëve mbyll shqyrtimin për Metën

Gazeta ka bërë një analizë të situatës dhe rezulton se brenda 8 ditësh, Gjykata Kushtetuese duhet të mbyllë shqyrtimin e dosjes për shkarkimin e presidentit Meta dhe kalimin e saj për gjykim. Më konkretisht, Parlamenti i Shqipërisë në datën 9 qershor të këtij viti miratoi me 104 vota pro raportin e Komisionit Hetimor parlamentar, i cili sugjeronte shkarkimin e Metës nga detyra. Ky vendimi shkaktoi debate të shumta politike, ndërkohë që në 14 qershor, raporti i Parlamentit shkoi për interpretim në Kushtetuese. Do të jetë kjo gjykatë si hallka e fundit që do të vendosë nëse kreu i shtetit do të qëndrojë në detyrë apo do të mbyllë mandatin më herët se korriku i vitit 2022. Por gazeta ka mësuar se Gjykata Kushtetuese është e “dënuar” që brenda 8 ditëve të mbyllë shqyrtimin e dosjes për shkarkimin e Metës, pasi 14 shtatori është afati i fundit ligjor për të vulosur mbi kërkesën e Kuvendit. Sipas ligjit, nga dita e mbërritjes së vendimit të Kuvendit në Kushtetuese, kjo e fundit ka 3 muaj afat që të shprehet. Ky afat përfundon në 14 shtator, ndërkohë që ka debate nëse muaji gusht duhet të cilësohet punë apo pushim.

14 shtatori afati i fundit ligjor

Gazeta foli me disa juristë të njohur, të cilët njëzëri u shprehën se gushti është muaj punë. Kështu që nisur nga kjo dhe referuar ligjit, Kushtetuesja ka vetëm 8 ditë afat, duke nisur nga sot që të shprehet dhe mbyll shqyrtimin e dosjes “Meta”. Pra, kjo do të thotë se në 14 korrik u bë një muaj, në 14 gusht u bënë 2 muaj, në 14 shtator bëhen 3 muaj dhe Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë mbi kërkesën e Kuvendit dhe më pas kalimin e dosjes për gjykim. Sidoqoftë, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më konkretisht gjatë këtyre ditëve. Kujtojmë që pak ditë më parë gazeta bëri me dije se gjyqtari Përparim Kalo është caktuar nga Gjykata Kushtetuese si relator për çështjen e shkarkimit të Presidentit të Republikës , Ilir Meta. Kalo u zgjodh në Kushtetuese nga vete kreu i shtetit në dhjetorin e vitit të kaluar, duke treguar se sa ironik është fati, pasi ai që mori pëlqimin e Metës ka në dorën dosjen e këtij të fundit. Megjithatë, vlen të theksohet fakti se sipas ligjit çështja e shkarkimit të presidentit shqyrtohet paraprakisht nga kolegji, i përbërë nga tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, ku bën pjesë dhe relatori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat