11 fëmijë me Koronavirus në Shqipëri

Shqipëria

11 fëmijë me Koronavirus në Shqipëri

Më: 8 shtator 2021 Në ora: 16:26
Foto ilustrim

Në Shqipëri nga Covid-19 aktualisht po marrin shërbim mjekësor 11 fëmijë, kryesisht të moshave 2 muaj deri në 1 vjeç. Fatmirësisht gjendja e tyre nuk është e rënduar dhe qëndrimi në spital është më i shkurtër. Ndërsa në spitalin Covid 3 numri i pacientëve është në rritje,  me nga 6-8 persona në ditë.

Në Infektivin e Pediatrisë janë të shtruar 11 fëmijë të prekur me Covid, nga të cilët pjesa më e madhe të grupmoshës 2 muaj deri 1 vjeç.

Gjendja e tyre, sqaron shefja e Pediatrisë Gjeorgjina Kuli se është e qëndreshme dhe fatmirësisht nuk ka fëmijë në situatë të rëndë.

“Në përgjithësi situata klinike është në gjendje të mesme.”

Numri i fëmijëve aktiv me Covid është  3-4% të rasteve totale të të infektuarve.

“Momentalisht grupmoshat 0-14 vjeç ka rreth 1500 fëmijë pozitivë për 100 mijë banorë.”

Edhe simptomat kanë ndryshuar, sqaron Kuli.

“Ka të vjella, diarre, temperatura e lartë është prezente.”

Sa i përket vaksinimit të fëmijëve, kanë nisur diskutimet por asgjë nuk është vendosur.

“Janë hapur opsionet e përcaktimit të kritereve dhe protokolleve për vaksinimin e fëmijëve, ende nuk është vendosur. Bëhet fjalë për moshën 12 vjeç deri në 18.”

Ndërsa në spitalin Covid 3 pacientët janë nga të gjitha moshat, tregon mjekja infeksioniste Esmeralda Meta.

Gjendja e pacientëve është e moderuar deri në e rëndë, ndërsa raportohet për një shtim të shtrimeve në spitalet Covid.

“Në dyjavëshin e fundit ka pasur një trend në rritje, konstant por në rritje, të numrit të të shtruarve. Luhatet nga 6-8 pacientë në ditë.”

Aktualisht po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor 152 pacientë, ndërsa rastet aktive ditore qëndrojnë nën shifrën 1000.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat