Të premten pritet të bjerë edhe “dera e hekurt” që mundëson hyrjen e demokratëve në oborrin e parlamentit, ku në ndryshim nga protestat e dy viteve më parë, hapësira e seancave plenare pritet të shfrytëzohet për propozime konkrete dhe reforma të mëdha.
Siç edhe kishte premtuar, Sali Berisha në pozitat e deputetit më të vjetër të Kuvendit do të jetë në Parlament i rreshtuar në grupin e tij parlamentar.
Shpallja non grata nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në 19 maj të këtij viti dhe deklaratat e ambasadores amerikane në Tiranë e cila i kërkoi Bashës përjashtimin e liderit historik të demokratëve, nuk e kanë penguar Berishën të privohet nga e drejta e tij për të qenë në ulëset e Kuvendit.
Lulzim Basha ka vendosur të mos mbledhë asnjë organ vendimmarrës në PD, por vetëm të japë orientime për grupin parlamentar.
Ndryshe nga çdo nisje legjislature, diplomatët do të mungojnë në Parlament. Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se për shkak të kushteve të pandemisë, diplomatëve nuk i është dërguar ftesë për të qenë pjesë e seancës së parë plenare.
Por mungesa fizike në sallë nuk do ta zbehë vëzhgimin e ndërkombëtarëve mbi ecurinë për seancën e parë, ku shkallët e Parlamentit do t’i ngjisin edhe ligjvënës për të cilët ata kanë kërkuar publikisht largimin.