Kryeministri Edi Rama zhvilloi një intervistë me gazetaren Isa Soarez të CNN lidhur me procesin e transferimit të afganëve të tjerë në Shqipëri.
Ai zbuloi se ka një ngërç për sjelljen e afganëve të tjerë ndoshta për shkak të “lojërave” që po bëjnë talebanët.
“Askush nuk e kupton dot se ku është problemi, ndoshta është lojë e talebanëve, ndoshta mungesë bashkërendimi me autoritetet e SHBA.
Kemi bërë për këta njerëz të njëjtën gjë që kemi bërë dhe për ata që kanë mbërritur tashmë. Nuk mund të spekuloj se ku qëndron problemi. Por nuk habitem nëse do ishte lojë e talebanëve që cfarë thonë sot, nuk thonë nesër. Ata e kanë ndryshuar sërish fjalën duke thënë se do të lejojnë vetëm ata që kanë pasaporta, por fëmijët nuk kanë pasaporta,” tha Rama.
Pse po e luajnë këtë lojë dhe a jeni në bisedime me talebanët? Apo komunikoni përmes SHBA-së?
“Jo ne nuk kemi hyrë në asnjë lloj besimi me talebanët dhe shpresoj që mos ta bëjmë. Kjo është punë e qeverisë amerikane. Ne jemi në kontakt të përhershëm me miqtë tanë që janë marrë me këtë nismë kaq njerëzore për të shpëtuar jetën e njerëzve të ekspozuar në rrezik,” u shpreh kryeministri shqiptar.