Në një deklaratë për mediat pas seancës së sotme parlamentare, kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se ndjen dhimbje për vendimin që mori për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së.
Kjo dhimbje, z. Basha tha se është dyfishuar pasi dëgjoi reagimin e Sali Berishës, i cili u shpreh për Lulzim Bashën se ka bashkëpunuar me Edi Ramën dhe ka bërë pazare.
“Dhimbja që ndjej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin që jam detyruar të marr dje është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga z. Berisha”, u shpreh Lulzim Basha.
Lulzim Basha theksoi se nuk lëviz asnjë presje nga vendimi i shpallur ditën e djeshme.
Ai tha se armiku i vetëm duhet të jetë kryeministri Edi Rama, i cili sipas kryedemokratit “ka minuar demokracinë” në vend.