Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka thënë se përjashtimi i Sali Berishës nga kjo parti prej Lulzim Bashës është antistatutor.
Ai ka theksuar se ky është akt për të cilin ai nuk është konsultuar me strukturat e brendshme të partisë.
“Një akt i tillë i ndërmarrë nga Basha është anistaturor. Statuti nuk e njeh në asnjë pikë kompentencën e kryetarit për të përjashtuar një deputet kushdo qoftë ai, qoftë edhe Sali Berisha. Ky është një akt individual i pa konsultuar me strukturat e partisë, është akt antistatutor. Në aspektin politik ky vendim sigurisht që jep goditje fatale Partisë Demokratike dhe frymës brenda saj i fut një përçarje shumë të thellë dhe me kosto shumë të rëndë nesër në zgjedhje, ndaj normalisht unë nuk mund të isha dakord me një vendim të tillë”.
Noka ka theksuar se Sali Berisha është njeriu më pro amerikan që ka njohur ndonjëherë historia e Shqipërisë.
“Sali Berisha është historia, suksesi i kësaj partie, pasi kjo forcë politike vetëm me drejtimin e Sali Berishës ka njohur suksesin. Sali Berisha është njeriun më pro amerikan që ka njohur historia e demokracisë në Shqipëri, është njeriu që ka bërë më shumë për të ndërtuar, për të forcuar dhe për të konsoliduar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës derisa ka arritur ta anëtarësojë Shqipërinë në NATO, kontributi i tij, pra në marrëdhëniet SHBA- Shqipëri është i pa fshirë”.
“Problemi që ka Sali Berisha me aktin politik të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken, e ka gjetur vet Sali Berisha rrugën për ta zgjidhur. PD ka detyrë gjykojë unë që t’i bind se të gjitha denoncimet, të gjitha shkresat e dërguara atje janë pjesë e një lobimi kundër PD-së dhe kundër Sali Berishës, të bëra nga Qeveria, nga mediat afër Qeverisë dhe nga OJQ-të afër Qeverisë.
“Nuk mundet kryetari dhe PD-ja të lëshojë pjesën esenciale të historisë të saj dhe ta mohojë në këtë mënyrë, detyra është t’i sqarojmë marrëdhëniet me aleatët e tanë për tgë rikthyer normalitetin e marrëdhënies për të zgjidhur këtë situatë. Basha me këtë vendim tregoi se është ose i shantazhuar ose në një ujdi që nuk mund ta themi se si e ku me Edi Ramën”, ka thënë Noka.