Djali plagos me thikë një tjetër, por çështjen e mbyll babai: Jam penduar për veprimet e tim biri

Shqipëria

Djali plagos me thikë një tjetër, por çështjen e mbyll babai: Jam penduar për veprimet e tim biri

Më: 11 shtator 2021 Në ora: 16:11
Foto ilustrim

Një prokuror në Tiranë është mjaftuar me faljen e një të riu që u plagos me mjet prerës dhe dëshminë e pendesës së babait të autorit për ta mbyllur çështjen e për ta dorëzuar në gjykatë.

Burimet e Gazetasi, thanë se dosja u dorëzua në gjykatën e kryeqytetit, prej nga ku pritet që të shqyrtohet kërkesa e prokurorit Albert Demirneli, që thotë se duhet pushuar akuza e vrasjes së mbetur në tentativë dhe ndonëse i riu E.M., u qëllua pesë herë, edhe vepra e plagosjes së lehtë duhet pushuar, pasi ai ka hequr dorë nga ankimi.

Sherri mes disa të rinjve që pretenduan se jo çdo kush duhet të hyjë në lagjen e tyre, është kthyer në çështje hetimore nga policia e kryeqytetit, e cila dështoi të gjejë autorin, por megjithatë, gjeti babain e tij dhe i mori një shkresë, ku thuhej: “Jam i penduar për veprimet e tim biri”. 

Se çfarë ndodh për të lehtësuar pozitat e një autori, e tregon pikërisht ky hetim, që në fund ia lë barrën e faljes pikërisht të dëmtuarit. As më pas as më shumë, por adoleshentët u përleshën, pasi i kërkuan llogari njërit prej tyre me pyetjen: mos të humbi gjë në lagje?  

Sipas fashikullit, ngjarja u njoftua nga Spitali i Traumës, pasi një djalë i ri shkoi për mjekim. I identifikuar më pas, si shtetasi E.M., rezultoi nga pyetjet e policisë se i riu  jetonte në lagjen numë 3 në Bathore.

“Ky shtetas ishte goditur pesë herë me mjet prerës të dyshuar si thikë në disa pjesë të trupit”, - shkruan mjekët e Spitalit të Traumës dhe këto të dhëna u përshkruan edhe në procesverbalin policor.

Por befasuese janë veprimet e mëpasshme të autoriteteve, përfshi edhe deklaratat që u mblodhën duke zeruar faktin që realisht i riu u qëllua me thikë dhe në gjoks. I plagosuri dëshmon se doli si normalisht për kafe dhe pasi përfundoi konsumin e saj, zbriti në rrugë.

E.M., thotë se përpara i doli një bashkëmoshatar që kishte vendosur në fytyrë një maskë anti-Covid dhe që e ka pyetur  “mos të humbi ndonjë gjë në këtë lagje?”

“Iu përgjigja duke i thënë se kishim dalë për xhiro në lagjen time dhe çfarë të shqetëson ty? Shtetasi A.T.,  u afrua dhe më kapi për fyti dhe në këtë moment reagova duke e goditur me grusht, duke e larguar prej meje”, - deklaron për hetuesit i riu.

Por personi që ai e identifikoi si A.T., dhe që ishte i nxehur për miqtë që i kishin ardhur në lagje, është kthyer dhe i është afruar, duke e qëlluar me një mjet.

“U përlesha me të, e futa poshtë vetes, por me një mjet prerës ai më ka qëlluar në krahun e majtë, unë përsëri jam përleshur, duke e shtrirë përtokë derisa u ndamë dhe ai u largua me vrap. Unë dhe shoku im kërkuam ndihmë, pasi mua po më dilte gjak“.

Në fashikull, përmendet se tre të rinjtë nuk kanë patur asnjë mosëmarrvëshje të mbartur dhe as ndonjë konflikt me të njohurit e tjerë që i kanë shokë. Shoku i të riut që gjendej me të në lagjen ku iu kërkua llogari, tregon se çdo gjë ishte një konflikt i çastit dhe i pakuptimtë.

Duke mos u mjaftuar vetëm me deklaratat e të rinjve, policia thotë për Gazetasi.al, se pyeti edhe prindërit e tyre, e bindur se pakënaqësitë mund të ishin mbartur nga më të rriturit. Por edhe babai i të plagosurit ka konfirmuar të njëjtën dëshmi si i biri. Me sa duket, xhiroja në lagje e ka bezdisur autorin.

“Kam mësuar se djali im, E.M., u sulmua nga një konflikt i çastit nga A.T., pas një debati të çastit të tipit – pse kalon në këtë lagje, kush je ti, a e di çfarë të bëj unë se është lagjja ime?”,- dëshmon në polici kryefamiljari. Megjithatë, pasi u vu në kërkim të autorit, policia mjaftohet me marrjen në pyetje të babait të tij, një emigrant i sapo kthyer nga Greqia.

Ai dëshmon marrëdhëniet e mira midis dy familjeve dhe faktin që konfliktin ia kishte vënë në dijeni bashkëshortja. “Jam i penduar për këtë që ka bërë djali im dhe për këtë arsye, kam marrë takim me familjarët e E.M., duke u interesuar për shëndetin e tij dhe duke iu kërkuar falje atyre. Im bir pas ngjarjes është larguar nga shtëpia dhe nuk kam asnjë informacion ku gjendet”,  - dëshmon babai i autorit.

Bazuar në këto veprime dhe në deklaratën e palës së sulmuar, që i thonë policisë, “e kemi falur autorin”, prokurori i çëshjes Albert Demirneli, rezulton se ka urdhëruar pushimin e hetimeve pa kryer asnjë veprim tjetër hetimor.

“Gjatë fazës së hetimit paraprak, - i thotë gjykatës prokurori Demirneli, rezulton se shtetasi A.T., nuk ka synuar vrasjen e bashkëmoshatarit, konfikti ka qenë verbal dhe për këtë arsye i dyshuari nuk duhet të përgjigjet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, por për plagosje të lehtë.

Më tej, prokurori i shkruan gjykatës, se përsa kohë i dëmtuari ka hequr dorë nga ankimi dhe pranon që e ka falur sulmuesin, ai ka vendosur njëherazi ta pushojë edhe këtë akuzë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat