Produktet e shportës në Korçë kanë pësuar një rritje javët e fundit, ndërsa çmimi i bukës është ndër më shqetësuesit për qytetarët.
Thuajse të gjitha furrat e bukës kanë rritur çmimin e saj, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar lidhur me këtë çështje, duke thënë se nuk do të mund ta përballojnë jetesën e tyre.
"E mora 90 bukën, ishte 80. I rriti ky rrogat?"
"Rrogat ulen, çmimet ngrihen. Logjikë është kjo?!"
"Me 120 mijë lekë pension, merre me mend tani, të gjitha u rritën."
Jani Dajko është një nga bukëpjekësit e Korçës, dhe ka treguar për Ora News arsyen e rritjes së këtij çmimit.
"Vjen nga ngritja e miellit dhe produkteve të tjera."
Rritja e çmimit të bukës nuk është e vetmja, pasi rritje kanë pësuar edhe qumështi, kosi dhe produktet e shportës.
"Qumështin e merrja 140, është bërë 150. Unë jam pensionist, nuk më dalin, mjerë unë."
Pak ditë më parë Autoriteti i Konkurrencës nisi një verifikim të rritjes së çmimit të bukës, ndërsa pas monitorimit të tregut do të vendoset nëse do ketë apo jo hetim për kompanitë e miellit dhe furrat.