Punimet pa leje të “Kurora e qytetit” në Sarandë, arrestohet 49-vjeçari

Shqipëria

Punimet pa leje të “Kurora e qytetit” në Sarandë, arrestohet 49-vjeçari

Më: 12 shtator 2021 Në ora: 18:27
Foto ilustrim

49-vjeçari, i cili ishte shpallur më herët në kërkim, ka rënë në prangat e policisë së Sarandës për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.

Policia njofton se Aleksandër Rica kontraktoi 4 punonjës që u arrestuan më herët nga policia, për të ndërtuar një vilë, për të cilën nuk posedonte leje, në zonën e mbrojtur të quajtur “Kurora e qytetit”, Sarandë.

“Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim policor, Aleksandër Rica, 49 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas dyshohet se ka kontraktuar 4 puntorë (të vënë në pranga nga Policia më herët), për ndërtimin e një objekti (vilë), po ashtu ky shtetas dyshohet se ka ndërtuar pa lejen e autoriteteve kompentente dhe 2 objekte të tjera, të ndërtuara po në vendin e quajtur “Kurora e qytetit”, Sarandë, e cila është zonë e mbrojtur”, njofton policia.

Po ashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Ricës policia gjeti dhe sekuestroi një sasi municioni luftarak.

Vijon puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë përgjegjësi për mosverifikimin e ndërtimeve dhe pronave, në proçes legalizimi, të këtij shtetasi, në një zonë të mbrojtur, të qytetit të Sarandës.

Materialet shtesë në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe  “Prodhimi dhe mbatja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar në misionin e saj me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast abuzimi apo shkelje të ligjit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat