Rasti i Evgjeni Baxhos, në trupin e të cilës u gjetën shenja të padëshiruara po hetohet nga prokuroria për akuzën e “shtyrjes në vetëvrasje”.
Ditën e sotme kjo ngjarje e rëndë u rikthye në vëmendjen e publikut nga emisioni “Shqipëria Live” në Top Channel, ku gazetarja Anila Hoxha dha disa detaje të reja.
Gazetarja e njohur u shpreh se aktualisht po bëhet zbërthimi i plotë i telefonit të së ndjerës. Sipas Hoxhës, nga këto hetime ka rezultuar se Evgjeni ka pasur komunikime të vazhdueshme me një person të seksit të kundër, në Tiranë.
“Ka qenë një komunikim dhe një njohje disa mujore mes tyre. Është kërkuar informacion nga kompanitë celulare që të ndihmojnë në gjetjen e emrit të mashkullit në fjalë, të cilin e ndjera e kishte të regjistruar me kod. Ky numër është blerë në tregun e zi”, tha Anila Hoxha.
Kjo e fundit shton se Prokuroria e Tiranës ka bërë me dije se Baxho ka pasur një varësi ndaj këtij personi.