Analisti Ilir Kalemaj u shpreh se në programin e ri qeverisës të mazhorancës ka një sërë premtimesh të pambajtura.
Ai tha se është premtuar që të ulet borxhi, por ai është ngritur në shifrën 82%, pa llogaritur PPP-të, ku borxhi shkon mbi 90%, një zonë e kuqe borxhi.
Kalemaj: Në programin e ri qeverisës të mazhorancës ka një sërë premtimesh të pambajtura dhe një pjesë e mirë e programit. Po ashtu është premtuar që të ulet borxhi, por ai është ngritur në shifrën 82%, pa llogaritur PPP-të, ku borxhi shkon mbi 90%, një zonë e kuqe borxhi. Ka shumë premtime të pambajtura, të mos harrojmë 300 mijë vende të reja pune që nuk u hapen asnjëherë.
Po të shihen të ardhurat e buxhetore, janë në kufijtë 24-25% që janë më të ulta se sa një dekadë më parë, ndërsa vendet e rajonit e kanë në shifrën 40%. Të gjithë këto janë fluturime, sepse në fakt nuk mund të premtohen investime pa një faturë financiare të detajuar dhe pa u mbështetur në bilance të asaj që është arritur, si dhe pa u bazuar në shifrën e borxhit.
Kalemaj shtoi se nisma Open Ballkan është një gjë që është parë shumë herë më parë dhe ka shkaktuar shumë kundërshti.
Kalemaj: Në raport me Open Ballkan ka pasur shumë debate. Unë i kam qëndruar faktit se kjo nismë është një gjë që e kemi parë shumë herë më parë. Problemi i kësaj nisme është se nuk e dimë nëse ky proces është komplementar me Procesin e Berlinit apo zëvendësues. Kundërshtia ndaj Open Ballkan nuk është një kapriço e Kurtit, sepse e ka kundërshtuar këtë nismë e gjithë politika në Kosovë. Po ashtu, edhe Mali i zi dhe Bosnja e kanë kundërshtuar, sepse shohin paralelisht një nismë të botës serbe, për të krijuar Serbinë e Madhe.