Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi sot se situata e pandemisë në Shqipëri paraqitet momentalisht e qëndryeshme. Për këtë Komiteti vendosi të mos i ndryshojë masat kufizuese.
Kështu mbeten në fuqi masat:
ora policore 23:00/06:00
përdorimi i maskave në mjediset e mbyllura e transport publik
ndalimi i grumbullimeve të njerëzve me mbi 50 persona
vetëm 30% e kapaciteteve për spektatorë në aktivitete sportive e kulturore
hyrjet e të huajve në Shqipëri vetëm përmes certifikatës së vaksinës, testit negativ, ose provës se është kaluar infeksion COVID-19 gjatë 6 muajve të fundit
ata që nuk kanë asnjë nga këto dokumente duhet të vihen në karantinë për 10 ditë
Gjatë konferencës për shtyp drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico tha se aktualisht 33% e popullsisë është vaksinuar me dy injeksione për COVID-19.
Shqipëria ka administruar 1,651,288 vaksina, prej të cilave ka mundur të vaksinojë me dy doza 732,197 persona.
Mjeku Dhimitër Kraja pranoi se ka pasur raste të vdekjeve ndër personat e vaksinuar me dy doza, por ai theksoi se ato mbeten shumë të rralla. Kraja tha se nga të dhënat e spitaleve publike, kanë rezultuar në fatalitete vetëm 0.0006% e të vaksinuarve.
Ai tha se rastet e këtyre vdekjeve janë shënuar kryesisht te personat me sëmundje të tjera, që kanë pasur si faktorë ndikues edhe moshën.
Ditën e martë Akademia e Shkencave rekomandoi që autoritetet të shtojnë me së paku 500 mijë persona të tjerë numrin e të vaksinuarve në mënyrë që të arrihet imuniteti i tufës. Pjesë e rekomandimit ishte edhe vaksinimi i fëmijëve.
Por zëvendësministrja Mira Rakacolli theksoi se vendimi për vaksinat jepet nga Komiteti i Vaksinave që është një Komitet permanent pranë ministrisë së Shëndetësisë.
“Vaksinimi i fëmijëve po bëhet në disa vende të botës, por jo në të gjitha, pasi si gjitha, pasi siç ka argumente për ta bërë, ka edhe argumente për të mos e bërë, janë vendime të kujdesshme që duhen marrë nga ekspertët e kësaj fushe,” – tha Rakacolli.
“Studimi bazohej në gjetjen e antitrupave, dhe ky konkluzion nuk ka dalë nga ky studim, është vetëm rekomandim,” – vijoi zëvendësministrja për rekomandimin e Akademisë së Shkencave për të vaksinuar edhe fëmijët.