Ish-presidenti Bujar Nishani ka bërë një reagim të fortë ndaj Lulzim Bashës, teksa thotë se është thjesht peng i Edi Ramës.
“Lulzim Basha nuk ka turp e as i nxihet faqja sepse është thjesht peng i Edi Ramës, e mban peng dhe Partinë Demokratike në shërbim të korrupsionit të pushtetit të Edi Ramës!
Të shpëtojmë Partinë Demokratike për të shpëtuar Shqipërinë”, shkruan ndër të tjera Nishani.
Postimi i Nishanit
Lulzim Basha flet sot në emër të Partisë Demokratike për reforma të përbashkëta me Edi Ramën.
Turp e faqja e zezë, do të ishte pak të thuhej.
Edi Rama u tall, e përdhosi, e masakroi Partinë Demokratike, opozitën si dimension, demokracinë si vlerë.
A nuk ishte Edi Rama që e ndryshoi Kushtetutën e Shqipërisë në mënyrë të njëanëshme pa pjesmarrjen dhe konsensusin e opozitës?
Kurrë s’kishte ndodhur më parë në Shqipërinë pluraliste!
Kurrë ska ndodhur në ndonjë vend e shtet demokratik!
A nuk e bëri Edi Rama atë veç në shërbim të pushtetit të tij?
A nuk e ndryshoi Edi Rama Kodin Zgjedhor, për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, pa konsensusin e opozitës?
Kurrë s’kishte ndodhur më parë!
A nuk e bëri ai këtë vetëm në interes të Partisë Socialiste?
Kur ka patur ndonjëherë dhunë, poshtërim e manipulim parazgjedhor më të madh e më të hapur ndaj Partisë Demokratike, në 30 vitet e pluralizmit shqiptar?
Kurrë asnjëherë!
Vetëm Edi Rama e bëri atë, mu nën hundën e ndër sy të Lulzim Bashës!
E ky, sot na angazhohet për bashkëpunim reformash me një monstër politike si Edi Rama.
Lulzim Basha nuk ka turp e as i nxihet faqja sepse është thjesht peng i Edi Ramës, e mban peng dhe Partinë Demokratike në shërbim të korrupsionit të pushtetit të Edi Ramës!
Të shpëtojmë Partinë Demokratike për të shpëtuar Shqipërinë!