"Nuk vë bast më për asnjë datë, për asnjë afat dhe pres me qetësinë e plotë si rastin kur ndodh, si rastin kur nuk ndodh. Jemi përgatitur disa herë për dasmë, ju e dini shumë mirë dhe krushqit nuk janë paraqitur. Tani ne nuk përgatitemi më për dasmë, ne thjesht vazhdojmë t’i bëjmë me vepra deklaratat e dashurisë, por se kur ndodh dasma, e kanë në dorë krushqit. Kështu që është shumë e qartë".
Kështu do të deklaronte kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen një ditë më parë në Tiranë.
Dukej si një sinjal i marrë tashmë veç Bullgarisë që u bë pengesë gjatë presidencës kroate për shkak të konflikteve me Maqedoninë e Veriut, e që penalizoi Shqipërinë, tashmë janë shtuar sërish shtetet skeptike. Agjencia e lajmeve Reuters në një shkrim të sajin më të fundit shkruan se shtete si Franca, Danimarka e Holanda janë skeptike.
“Shtetet e BE -së nuk i zbulojnë pozicionet e tyre, por vendet e pasura veriore si Danimarka, Franca dhe Holanda kanë frikë nga përsëritja e pranimit të nxituar të Rumanisë dhe Bullgarisë në 2007 që nxiti një valë migrimi të pakontrolluar të punëtorëve drejt Britanisë, e cila qe një nga shkaqet që i ktheu shumë britanikë kundër BE -së”, shkruan Reuters.
Reuters shkruan po ashtu se ky mospajtim përkon edhe me shpërthimin e tensioneve në kufirin Kosovë-Serbi. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të nisjes së negociatave të anëtarësimit, teksa Bullgaria ka vënë kritere strikte për Shkupin.
Shtetet pro-zgjerimit, përfshirë Austrinë, Italinë, Kroacinë, Slloveninë dhe vendet baltike, akuzojnë Gjermaninë dhe Francën për dështimin për të bërë presion ndaj Bullgarisë për të hequr veton e saj. Përparimi i Shqipërisë është ndalur gjithashtu sepse është i lidhur me Maqedoninë e Veriut në procesin e zgjerimit.
"Për sa kohë që keni kaq shumë shtete anëtare, për një arsye ose një tjetër, të cilët besojnë se nuk është e drejtë të zgjerohet më tej komuniteti i BE -së, atëherë ne me të vërtetë nuk po shkojmë askund," tha John O'Brennan, një ekspert për integrimin në BE në Universitetin Maynooth në Irlandë.