Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka mbledhur sot 12 drejtuesit e Policisë nëpër qarqe për vrasjen e nënkomisarit Saimir Hoxha në Lezhë.
Sipas News24 pas takimit për Saimir Hoxhën do të vendoset ylli në memorialin e 224 dëshmorëve policë të rënë në krye të detyrës në Shqipëri.
Qeveria miratoi diten e djeshme vendimin për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të nënkomisar Saimir Hoxhës. Gjithashtu, qeveria mori vendim për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve të nenkomisarit.
“Sot ne morëm vendimin për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të nënkomisar Saimir Hoxhës dhe njëkohësisht qeveria mori vendim për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve, dhe me marrjen e titullit “Dëshmor i Atdheut”, kur të hyjë në fuqi ligji i ri që ne miratuam në mbledhjen e parë të kësaj qeverie, familjarët dhe posaçërisht fëmijët, do të trajtohen si fëmijë në përkujdesje të Republikës.
Kjo do të thotë, se fëmijët e “Dëshmorit të Atdheut” do të marrin një trajtim deri në moshën 18 vjeç, e nëse vijojnë shkollën e lartë, deri në 25 vjeç, dy djemtë do të marrin një pagë prej 170 % të pagës që ka patur Nënkomisar Saimir Hoxha”, tha nje dite me pare ministri.