Në maternitetin e qytetit të Lezhës mesditen e së mërkurës ka ardhur në jetë fëmija i gjashtë i një nëne afgane. 27 vjeçarja që u strehua para disa javësh në Shqipëri për shkak të tensioneve në Atdheun e saj Afganistan është bërë nënë e një djali dhe ajo dhe bebi janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Prindërit kanë shprehur dëshirën që ta pagëzojnë të porsalindurin me një emër shqiptar dhe thuhet se një ndër emrat e preferuar është Alban. Mjeku Nikoll Brozi shprehet për Fax News se djali ka lindur në gjendje shumë të mirë, ndërkohë që në spital kanë mbërritur dhe të tjera gra afgane, të cilat janë në pritje të fëmijëve të tyre.
Ai thotë se një pjesë e tyre kanë shfaqur probleme të zakonshme të shtatzënisë, ndërkohë që familja afgane nuk pranon të flasë, për shkak të frikës mbi sigurinë e tyre.