Nisja e punës në terren për hartimin e projektit të Hidrocentralit të Skavicës ishte befasi për banorët që jetojnë pranë pellgut të Drinit të Zi në Dibër.
"Atje nisin punimet pa u vënë në dijeni askush, pa bërë asnjë negociatë me popullin, pa njoftuar askënd."
Të grupuar në shoqatën për Mbrojtjen e Luginës së Drinit të Zi, ata thonë se nuk janë kundër investimit të cilësuar strategjik për vendin, por kërkojnë zgjidhje për efektet që do të ketë përmbytja e luginës.
"Kemi shfaqur mendimin se nuk jemi kundër zhvillimit."
Dhe zgjidhja sipas tyre vjen vetëm nëse qeveria ulet me ta dhe i sqaron për projektin dhe të ardhmen e tyre atje ku do të zhvendosen për të ndërtuar jetesën.
"Këtu nuk kemi të bëjmë me shpronësime, këtu kemi të bëjmë me shpërngluje masive të popullatës. Kjo do të thotë tjetërsim i jetës. Kjo duhet të zgjidhet, në radhë të parë duhet të vijë qeveria të ulet."
"Kërkesat tona janë që qeveria të vijë të ulet rrafsh me popullin, të marrë mendimet e popullit."
Hidrocentrali i Skavicës është projektuar fillimisht në vitet 70’, si pjesë e Kaskadës së Drinit.
Projekti kap vlerën e 500 milion dollarëve, ndërsa punimet do të kryhen nga kompania amerikane Bektel.