Qeveria shqiptare e kundërshton lajmin në mediet britanike se Londra është në bisedime më Tiranën për të hapur një kamp emigrantësh në vend. Britania pretendohet se ka kërkuar ndihmën e Shqipërisë për ta ndihmuar me valën e emigracionit të paligjshëm.
Qeveria shqiptare nuk do e mbështetë planin britanik për të hapur një qendër azilantësh në Shqipëri.
Britania e Madhe mësohet se po vlerëson disa skenarë për të luftuar emigracionin e paligjshëm nga Franca nëpërmjet ngushticës së La Manshit.
Sipas medieve britanike, një nga idetë është ngritja në Ballkan e një kampi për strehimin e përkohshëm të këtyre emigrantëve, të cilëve do u sigurohet një pagesë javore, ushqim dhe veshje deri sa t'u analizohet kërkesa për azil.
Në qershor u diskutua me Danimarkën që misionin ta kryente një qendër emigrantësh në Afrikë, ndërsa tani mediet raportojnë se bisedimet kanë ecur edhe me qeverinë shqiptare.
Endri Fuga, drejtori i komunikimit në kryeministri, e mohoi këtë pretendim.
"Lajmi se Shqipëria do ngrejë një qendër azilantësh për llogari të palëve të treta është absolutisht i pavërtetë. Shqipëria hapi dyert për 4 mijë afganë e jemi krenarë për këtë. Ne bëjmë detyrat tona karshi traditës e fëmijëve tanë, jo detyrat e atyre që janë më të mëdhenj e më të pasur se ne," reagoi Fuga në Twitter.
Shqipëria dhe Britania e kanë rritur në muajt e fundit koordinimin shtetëror, duke rënë dakord në korrik që të përshpejtojnë edhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë të burgosur apo pa të drejtë qëndrimi në territorin anglez.
Një pjesë e komunitetit shqiptar qëndron ilegalisht në Britaninë e Madhe ndërsa më 6 shtator u shënua rekordi ditor me depërtimin e 1 mijë emigrantëve ilegalë në kufijtë britanikë.