Emrat dhe bëmat penale të 5 bosëve të miellit, që futën në “thes” shefat e Konkurencës dhe “Tigrin” e qeverisë

Shqipëria

Emrat dhe bëmat penale të 5 bosëve të miellit, që futën në “thes” shefat e Konkurencës dhe “Tigrin” e qeverisë

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 12:23
Foto ilustrim

Prej një jave, Autoriteti i Konkurencës ka pranuar dhe lejuar rritjen e çmimit të bukës, duke i dhënë të drejtë mafies së miellit, që në Shqipëri është me strukturë 5 kompani, të cilat kanë vendosur bashkërisht çmimin e miellit për furrat prodhuese.

Ky vendim shtetëror i Autoritetit të Konkurencës, që hiqet si i pavarur por realisht është vegël e qeverisë; ka hapur rrugën e plotë, që çmimi i bukës të rritet edhe me tepër, madje këtë fundjavë që shkoi ka shkuar 20-25 lekë rritje.

Me Vendimin Nr. 700, datë 24.07.2020, Komisioni i Konkurrencës, deklaroi se kishte bërë hetim për çmimet monopol të kompanive të miellit, por realisht kishte bërë lojë në favor të tyre, mbasi nuk i gjobiti, por i “këshilloi” të mos vendosin çmim të unifikuar.

Në një vit monitorim, ky komision konstatoi se  kompanitë “Agro Blend Shpk”, “Miell Tirana Sh.A”, “Bloja Sh.A”, “Atlas Sh.a” e “Atlas Mills Shpk”; jo vetëm nuk e kishin ndaluar marrëveshjen e tregut monopol të çmimeve, por kishin bërë rritje të tyre.

Një hetim i dytë nga Komisioni Konkurencës, i bërë publik më 9 shtator 2021, konstatoi se mafia e miellit po vazhdonte monopolin çmimeve, gjë që çoi në rritjen e çmimit të bukës në tregun e konsumit masiv, fillimisht me 8% e tashmë me 15-20%.

Mirëpo si me “pult” nga një fuqi mbi ta, vetë drejtuesit e  Komisionit të Konkurenës, rrëzuan raport-hetimin dhe vendimin e tyre, për gjobitje të secilës kompani me 10% të xhirros vjetore.

Vlera totale e gjobës ishte caktuar 5.3 milionë Euro, të cilat “Agro Blend Shpk”, “Miell Tirana Sh.A”, “Bloja Sh.A”, “Atlas Sh.a” e “Atlas Mills Shpk” duhet të paguanin në arkën e shtetit, mirëpo siç kuptohet, vepruan “xhepat” e bosëve të pushtetit.

Ja bosët monopolistë të miellit, që futën në “thes” shefat e Autoritetit të Konkurencës dhe qeverinë, për të hequr gjobat 5.3 milion Euro?

FIQIRI ISMAILI i “Agro Blend Shpk”, ish kryebashkiak i PD në Vorë-Gërdec, krushk i Fatmir Mediut, i cili importon grurë e miell-ukrainas-ruso-serb me radio-aktivitet dhe e tregton si miell produkt shqiptar bio.

Përveç gjobës për miellin, Komisioni i Konkurencës, me Vendim Nr. 794, datë 27.04.2021 i ka falur firmës “Agro Blend” dhe gjobën 280 milionë lekë, për mashtrim me faturat dhe çmimet e shitjes së pesticideve, duke e dënuar vetëm me 2 milionë lekë.

Gjatë pushtetit të PD, Fiqiri Ismali  mashtroi fermerët me fara të skaduara misri, gruri e perimesh, duke u shkaktuar 20 milionë Euro dëme; por është hetuar dhe për mashtrim me cilësinë e miellit, duke e deklaruar me 12.5% proteina, kur e ka me 9% proteina miell biskotash.

AGRON E FUAD HAXHIYMERI të firmës “Bloja Sh.A” me 90% aksione, ndërsa 7.3% i ka Ministria e Ekonomi-Financave; janë të lidhur fort me pushtetin e PS dhe prej 8 vitesh me “Tigrin”, që doli falenderoi Komisionin e Konkurencës për heqjen e gjobës 5.3 milionë Euro.

Kjo firmë, prej 15 vitesh furnizohet me grurë kancergjon serb e tagji kafshësh, të cilin e fut në proces bloje me lavazhim detergjentësh aromatik; ndërsa miellin e importuar, ose të përzier me miellra të tjerë importi nga Azia, ata e tregtojnë si miell shqiptar, me logon e firmës së tyre “Prima Shpk”.

DIMITRIOS THOMOGLU, i firmave “Atlas Sh.A”, është personazh me dosje penale, i arrestuar me 11 qershor 2019 nga Prokuroria Shkodër, për mashtrim tatimor, duke fshehur 365 milionë lekë të reja në bilancet e firmës së tij “General Impex” që tregton produkte ushqimore, mes tyre dhe miell nga Turqia, Rusia e Bullgaria, të cilin e servir si miell shqiptar me logon “Atlas shpk”.

Bashkë me të në ortakëri e bashkëveprim kriminal në tregun e miellit, janë dhe Dervish Domi me firmën “Atlas Mills Shpk”; si dhe Besnik Myftari me firmën “Besnik shpk”, të dy të kallëzuar penalisht nga AKU, për falsifikim të orgjinës ruso-serbe dhe të përqindjes së proteinave të miellit, rezultuar me përbërës të rrezikshëm kimik brenda tij.

ROLAND HYSA i “Miell Tirana Sh.A”, me administrator fiktiv Enea Hysa e ortakë  Viktor Nushi, Olta Ibrahimi, Tatjana Polo, të njohur si maska e bizneseve të poliktanëve të lartë në karburante, ushqime, materiale ndërtimi, linja transporti etj.

Kjo firmë është e skeduar për falsifikim proteinash të miellit dhe prodhim mielli me grurë serb, tagji kafshësh e mbetje kancergjone, që duhen groposur, por prodhohet miell për bukë e ëmbëlsira në Shqipëri, duke lavazhuar grurin  me detergjentë gjatë blojes; Roland Hysa, njihet dhe si administratori i tregut ushqimor “Uzina Dinamo”, për të cilin ka lidhje interesash me kupolën e pushtetit të PD-PS dhe është në hetim për falsifikime dokumentesh.

Konkurenca vazhdon lojën në favor të mafies së miellit

Pas plasjes së skandalit, me përmbajtje favorizim bashkëveprim në krim me 5 firmat mafioze të miellit, 5 drejtuesit Komisionit të Konkurencës, deklaruan se “çështja është akoma në hetim, por është dosje konfidenciale”.

Nuk mund të pranohet, broçkulla se qënka sekret shtetëror, fakti që 5 bosët e miellit, po vjedhin konsumatorin nëpërmjet pazarit monopol që dikton rritjen e çmimit të bukës; madje është lojë dhe ndarja e votave kundër gjobës në maxhorancë, ndërsa votat pro gjobës gjoja në minorancë.

Hetimi i mafies së miellit, ligjërisht nuk është “dosje sekrete”, por është skenar i paramenduar i Komisionit të Konkurencës në favor të bosëve të miellit, duke kaluar vendimin e gjobave për votim, kur vendimet nuk votohen, por vetëm zbatohen.

FAKT/ “Avokat” i heqjes së gjobave e rritjes së  çmimit të bukës, u bë dhe “Tigri” zv/kryeministër, i cili deklaroi se qeveria nuk ka lidhje me mafien e miellit që rriti çmimet, mirëpo Ministria e Ekonomisë është ortake me 7.3% në shoqërinë “Bloja Sh.a”, brenda të cilës është dhe kompania “Prima shpk” e Haxhiymerëve.

Ndërsa po në emër të qeverisë, d.m.th të kryeministrit, “Tigri” falenderoi për “ndershmëri, profesionalizëm e zbatim ligji” shefat e Autoritetit të Konkurrencës, që nuk gjobitën bosët miellit, kur duhen hetuar nga SPAK, për shkelje ligji dhe bashkëpunim në këtë krim të organizuar ekonomiko-financiar, me rritjen e çmimit të bukës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat