Një 36 vjeçar ka rënë në pranga e policisë së Kavajës, pasi ishte shpallur në kërkim për plagosje.
Policia njofton se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet E.C., i cili akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
"Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin E. C, 36 vjeç, banues në Kavajë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë, i ka vendosur në mungesë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”", thotë policia.
Ngjarja
Ky shtetas me datë 24 maj 2020, në lagjen Nr.1, Kavajë, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasin M. Xh, 30 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme.