Gazetari investigativ i BIRN, Gjergj Erebara ne një intervistë për Ora News ka komentuar skandalin e fundit global të parajsës fiskale, që u publikua ditën e djeshme, Pandora Papers.
Ai zbulon se në skandal përfshihet një biznesmen në ish-qeverinë e Fatos Nanos.
"Shkrimi i parë i publikuar që ka lidhje me Shqipërinë flet për një kompani shqiptare, të regjistruar në Dubai, e cila, ka marrë në sasi parash disa milionë eurosh nga nënkontraktori i energjisë që ka ndërtuar linjën e interkonjeksionit Shqipëri -Kosovë.
Ky person, Vasil Kallupi konsiderohet si një person qenë pranë ish-kryeministrit Fatos Nano.
Nuk e di nëse politikani shqiptar që thuhet që është i përfshirë në skandalin e Pandora Papers ka lidhje me Vasil Kallupin.
Operatori i sistemit të transmetimit ka kontraktuar një kompani për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri. Kjo kompani i ka paguar disa milionë euro një kompanie të regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, që nuk dihet të ketë bërë një punë në atë të rast.
Kjo nuk do të thotë që kemi kapur ryshfetin, sepse kjo punë i përket prokurorisë. Kemi një kompani konsulence shqiptare të regjistruar në Dubai, e cila merr miliona euro pagesa nga një kompani që është nënkontraktori i OST-së.", shprehet Erebara.
Erebara thotë se kompania konsulence shqiptare e regjistruar në Duabai quhet 'Al Energy Transmission'. Sipas shkrimeve të publikuara sot nga mediet ndërkombëtare, kësaj kompanie i janë dhënë nga projekti i interkonjeksionit Shqipëri -Kosovë, 3,6 milionë euro.
"Në 2011 kanë filluar përgatitjet për projektin e interkonjeksionit Shqipëri -Kosovë. Më vonë është bërë kjo kompani.
Punimet kanë vijuar deri në vitin 2016 dhe kanë kushtuar diku te 29 milionë euro, nga këto 3.6 milionë euro i janë paguar kësaj kompanië, që quhet 'Al Energy Transmission' dhe që nuk dihet se për çfarë arsye i janë transferuar gjithë këto para.
Tenderi për projektin e interkonjeksionit është fituar nga kompania boshjnake 'Energy Invest' .
Kjo kompani nga paratë e projektit nga paratë që ka marrë ka pagur 3.6 milionë euro për konsulencë kompanisë të regjistruar në Dubai", thotë Erebara.