"Shqiptarët po varfërohen gjithnjë e më tepër", eksperti për rritjen e çmimeve: Kriza disi e paralajmëruar

Shqipëria

"Shqiptarët po varfërohen gjithnjë e më tepër", eksperti për rritjen e çmimeve: Kriza disi e paralajmëruar

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 20:00
Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço

Karburantet në tregjet botërore kanë pësuar rritje. Si pasojë e rritjes së çmimeve edhe vendi ynë pritet të preket nga kjo krizë.

Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News, me gazetaren Matilda Mcini  u shpreh se për shqiptarët kjo situatë pritet të jetë një "pandemi e dytë".  Kjo vjen për shkak të faktorëve ndërkombëtarë, por edhe si pasojë e abuzimeve tëtregtarëve shqiptarë për të rritur fitimin e tyre.

Muço: "Mbi 40% e konsumit të shqiptarëve shkon për produktet ushqimore. Në momentin kur këto produkte kanë një tendencë rritëse siç u rrit çmimi i bukës me 20%, siç pritet të rritet çmimi i naftës në vazhdim, praktikisht shqiptarët po varfërohen gjithnjë e më tepër. Nga njëra anë patëm optimizmin që kaloi pandemia, por për shqiptarët siç duket do të jetë një "pandemi" e dytë, situata ekonomike do përkeqësohet shumë më shumë se kaq se pritet një rritje inflacioni. Faktorët janë ndërkombëtarë, por megjithatë duhet theksuar që kjo rritje e çmimeve në nivele kaq të larta nuk vjen vetëm si pasojë e rritjes së disa produkteve të çmimeve në bursë, por edhe si pasojë e abuzimit të tregtarëve shqiptarë që abuzojnë për të rritur fitimin e tyre."

A duhet ta paraprinim këtë ndodhi? A na paralajmëroi pandemia se do të mbërrinim në këtë pikë?

Muço shprehet se qeveria nuk ka marrë asnjë masë që nga momenti i fillimit të pandemisë, ashtu siç bënë vendet e tjera të BE-së.

Muço: "Ne nuk morëm ndonjë masë përsa i përket rishikimit të prodhimit në vend. Problemi është që kemi një rritje të ndjeshme të çmimit. Si do justifikohet kjo rritje e ndjeshme e çmimit, apo çfarë do bëjë qeveria për të mbështetur konsumatorët? Kur çmimi i bukës u rrit gati me 20 lekë për kg jo vetëm që nuk u mor asnjë masë përsa i përket fabrikave të miellit, por nuk u mor asnjë masë për të përballuar këtë rritje të çmimit të bukës."

Eksperti shprehet se nëse politika shqiptare do t'i kishte kushtuar rëndësi prodhimit vendas, nëse Shqipëria nuk do të ishte një  vend i varur nga importi kriza e karburanteve do të përballohej më lehtë.

Muço: "Nëse do kishim politika "patriotike" që shikonin drejt prodhimit vendas apo të përmirësonin prodhimin vendas dhe mos ta linin sektorin e naftës në një gjendje që lë për të dëshiruar, mund ta zgjidhnim këtë problem duke prodhuar më shumë në vend dhe duke mos u varur nga importi. Kryeministri bëri një deklaratë dhe tha që po kalojmë një krizë ndoshta dhe më të fortë se sa ajo e pandemisë. Lind pyetja se çfarë masa duhet të merrte qeveria? Ne jemi një vend që prodhojmë 70% të konsumit vendas nga hidrocentralet tona. Nëse ne do menaxhonim më mirë burimet tona, nëse do reduktonim humbjet në rrjet me shumë gjasa mund ta zgjidhnim këtë problem. "

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat