Vrasja e Ardjan Çollakut dhe Lulzim Bitrit në Elbasan, është filmuar nga kamerat e sigurisë së bizneseve aty pranë dhe pikërisht këto prova janë faktet më të rëndësishme që qëndrojnë për momentin në dorën e hetuesve.
Grupi i hetimit që drejtohet nga prokurori Ervin Beqiri, ka sekuestruar dhe dy armët automatike të djegura në makinën tip “Volvo”, të cilën autorët e kanë përdorur për kryerjen e kësaj vrasje.
Nga çfarë kanë filmuar kamerat e sigurisë, autorët kanë qenë tre persona.
Tre persona kanë qenë dhe nga pala e dëmtuar si Ardjan Çollaku, Lulzim Bitri dhe një person tjetër që fatmirësisht u ka shpëtuar plumbave.
“Ora News” mëson ekskluzivisht se pikërisht ky person i tretë quhet, Florenc Çekrezi, i cili ka qenë së bashku me dy viktimat kur dy personat e armatosur dhe të veshur me të zeza, kanë zbritur nga makina “Volvo” dhe kanë hapur zjarr.
Çekrezi, është larguar me vrap ndërsa dy miqtë e tij, Ardjan Çollaku dhe Lulzim Bitri, mbetën të vrarë. Sipas burimeve, nga pamjet filmike autorët dukshëm janë shumë të qetë në kryerjen e krimit dhe po aq të qetë janë në momentin e largimin nga skena e ngjarje.
Ata kanë qenë tre, një në timon të makinës “Volvo” dhe dy kanë zbritur duke qëlluar. Armët e zjarrit dhe makina e krimit janë gjendur të djegura plotësisht në fshatin Balldren.
Hetimi i policisë dhe prokurorisë së Elbasanit është përqendruar plotësisht në pamjet filmike dhe tek dëshmia e dëshmitarit kryesor të kësaj ngjarje, i mbijetuari Florenc Çekrezi.
Ky i fundit ka dhënë detaje mbi atë çfarë ka ndodhur. Sipas tij, të tre personat kanë qenë në ambjentet e një lokali aty pranë.
Sapo kanë dalë nga lokali, kanë qëndruar rreth 20 minuta buzë rrugës, duke biseduar me njëri-tjetrin, kur papritur përballë tyre janë shfaqur dy persona me veshje të zezë, duke hapur zjarr menjëherë. Viktima Ardjan Çollaku rezultonte i dënuar me 23 vite burgim në Itali për akuzën e “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Përfshirjes në grup të strukturuar kriminal” e “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.
Ndërsa vijonte që qëndronte i lirë në qytetin e Elbasanit. Çollaku nga muaji Maj kur është vrarë Everest Çakaj e deri në Shtator 2021, është pyetur plot 5 herë në polici lidhur me këtë vrasje.
Çollaku ka qenë një nga personat e dyshuar për këtë vrasje, por policia dhe prokuroria nuk kishin nxjerrë një masë ndalimi kundër tij.
Çollaku njihet në Elbasan dhe me emrin Ardian Subashi, i cili ishte në listën e OFL-së për të vetëdeklaruar pasurinë.
Ndërsa Lulzim Bitri, është vëllai i Eljo Bitri, aktualisht në “arrest shtëpie”, i marë disa herë në pyetje nga policia për ngjarjen e shkurtit 2018, ku u godit familja Çapja dhe u vranë 3 persona.
Lulzim Bitri, rezulton me precedent penalë jo vetëm në Shqipëri por edhe në Maqedoninë e Veriut, ku në Prill të vitit 2018 mbeti i vrarë në zonën e Reçiçës, Naip Rexhepi. Bitri qëndroi 30 ditë në burg për këtë vrasje dhe më pas u lirua.
Masakra e djeshme ndodhi pikërisht në të njëjtin vend ku në muajin Korrik 2020, mbeti i vrarë me 6 plumba pistolete, Emiljano Ramazani ose “Ili i Elbasanit”.
Vrasjet në seri në këtë qytet vijojnë të ndodhin, si rezultat i prishjes së pazareve të drogës mes katër fraksioneve kriminale, që veprojnë nga zona e rreth rrotullimit të luleve deri në zonën e Rrogozhinës.