Pse “non gratat” e SHBA dëmtojnë më shumë Edi Ramën se PD-në

Shqipëria

Pse “non gratat” e SHBA dëmtojnë më shumë Edi Ramën se PD-në

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 18:14
Edi Rama

Tashmë dihet nga të gjithë se vetëm vendimi nga lart prej SHBA-ve do ta sjellë atë tërmet në politikën shqiptare, që SPAK-u as ka ndërmend deri tani që ta nisë.

Me anë të vendimeve “non grata”, që janë realisht mandata asgjësimi politik të njerëzve të fuqishëm të këtij vendi, që prej vitesh e vitesh janë zotër në territorin dhe në financat e shtetit.

Por nëse i hyjmë një analize politike të çështjes, edhe pse duken si paksa të njëanshme ngaqë kanë ngacmuar doktor Berishën, vendimet e SHBA kanë nervozuar dhe destabilizuar më shumë Edi Ramën.

Ja përse! Vendimi për të shpallë Sali Berishën “non grata”, edhe pse mjaft njerëz të lidhur me të kanë vështirë ta gëlltisin, e çliron Partinë Demokratike, opozitën e të djathtën në vend… I hoqi barrën e Berishës që me peshën e tij e të enturazhit të tij i kishte zënë frymën ambjentit opozitar në vend, vetëm për hir rë telasheve të tij.

E mos sot, nesër, gjërat do të shkojnë në vendin e vet. Berisha, nuk ka mundësi më të mbizotërojë politikat e opozitës, e cila në mënyrë natyrore është në një proces të vetin transformimi dhe dialogu me shoqërinë.

Por vendimet e marra nga SHBA për Vangjush Dakon, Tom Doshin apo për Qifen e Peqinit, e së shpejti do të kemi disa të tjera, janë bomba që i heqin Edi Ramës realisht fuqinë e tij politike, si brenda por edhe jashtë PS-së.

Edi Rama ka shkatërruar PS-në e Shkodrës për Tomën, ka shkalafitur Dibrën për Ymer Lalën, e të majtën e Elbasanit për Qifen. Ka dërrmuar socialistët e Durrësit për onturazhin e Vangjush Dakos.

E damkosja nga SHBA e Gjushit, Terit, Tomës, Qifes e Lalës së Dibrës, e bën Edi Ramën një njeri të zakonshëm. Pa këto përbindsha tashmë të politikës, krimit e biznesit, Babloku nuk mund të kërcënojë më askënd. E bëhet i brishtë siç është në realitet, që nuk ka më xhagajdurët që kërcënojnë këdo që besdis shefin e tyre, e që në fakt nuk është shef por vartës i këtyre të fortëve.

Edi Rama pa 5 përbindshat është një politikan që sa të hyjë në një forum të PS-së, do ta bëjnë copë, apo nuk kanë edhe inatin e 8 viteve. E kjo tashmë ka filluar…

 Deri tani Rama e ka mbajtur debatin e mbyllur në PS, vetëm me kërcënimet e Tomës e Qifes, apo edhe Lalës, që nuk lënë njeri pa telendisur, madje edhe publikisht.

Por sot, siç kemi parë edhe në zhvillime të rëndësishme, kjo frikë ka kaluar. Përplasja e madhe në Shkodër, ku nga Paulin Sterkaj te kryebashkiaku i Pukës i dolën Doshit kundër, tregon se Rama nuk i ka më “superpushtetet” e “njeriut merimangë”, i kanë humbur butonat që të lëshojë litarët. Krahët e tij nuk janë të mbrojtur, prandaj Rama u destabilizua dhe ju rikthye në Kuvend polemikës së  vjetër, edhe pse ishte betuar se do të heshtte për akuzat e opozitës. Është në gjendje të vështirë shumë, pasi kryeministri nuk mund të mbajë të vetët nën hyqëm.

Ka disa deputetë që po bëjnë emërime pa e pyetur fare. Madje duke nisur nga ministrant e tij, si për shembull Balluku, që ka shkelur urdhërin e shefit për emërimet. E kjo ka sjellë një efekt domino. Rama nuk ka fuqi e mundësi t’i kundërvihet. Në grupin parlamentar të PS-së sot që flasin janë 10 deputetë gati t’i votojnë kundër që në rastin më të parë që ata e shohin të arsyeshme. Kthimi i Pandeli Majkos në Parlament pas ikjes së djalit të Qifes po shikohet si dramë nga Kryeministri, i cili sot ka më shumë armiq brenda PS-së se jashtë saj…/Pamfleti 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat