"Shqiptarët shiten dhe blihen lehtësisht se janë tmerrësisht të varfër", Toçe: Mungon shteti social

Shqipëria

"Shqiptarët shiten dhe blihen lehtësisht se janë tmerrësisht të varfër", Toçe: Mungon shteti social

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 20:45
Denata Toçe

Çmimet e shportës ushqimore janë rritur së fundmi. Ka nga ata qytetarë të cilët shprehen se pikërisht rritja e çmimeve në shumë sektorë krijon edhe dhunën në familje. Mungesa e të ardhurave financiare reflektohet në familje.

Psikologia Denata Toçe në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News e pyetur nga gazetarja Matilda Mcini se sa ndikojnë këto problematika te gjendja psikologjike e qytetarëve u shpreh se problemet ekonomike kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të lidhura ngushtë me dinamikën sociale.

Sipas psikologes në Shqipëri nuk ekziston më shtesa e mesme e popullsisë; kemi shtresën e varfër dhe shumë të varfër dhe shtresën e pasur dhe shumë të pasur.

Toçe: "Problemet ekonomike kanë qenë të lidhura dhe vazhdojnë të jenë ngushtë me dinamikën sociale. Problemet ekonomike krijojnë stres social dhe padiskutim një frustrim shumë të madh familjar. Streset ekonomike janë ato që lëvizin dhe shtyjnë agresionin dhe dhunën për shkak të rritjes së nivelit të stresit te individi i cili kërkon dhe përpiqet të jetojë. Ka lëndim të familjarëve, lëndim të shoqërisë dhe lëndim të vetes. Kjo është arsyeja pse unë e kam thënë që Shqipëria po përjeton dhe në të ardhmen depresioni social do jetë prezent në të gjitha familjet shqiptare që janë shoqëri e mesme dhe poshtë. Unë them që në shoqërinë shqiptare ka të varfër dhe shumë të varfër dhe pastaj të pasur dhe shumë të pasur. Ne nuk kemi më shtresë të mesme. Shtresa e mesme është kthyer në shtresë të varfër që bën një sakrificë të jashtëzakonshme për të mbijetuar dhe ajo tjetra që është shumë e varfër bën një sakrificë edhe më të madhe për të mbijetuar."

Toçe u shpreh se nuk është bërë asnjë përpjekje për krijimin e një shteti social ku individët të mbështeten për të krijuar një standard më të mirë jetese. Sipas psikologes, fakti që shqiptarët janë tmerrësisht të varfër bën që të shiten dhe blihen lehtësisht.

Toçe: "Ne nuk jemi përpjekur asnjëherë të krijojmë një shtet social ku të mbështetet individi dhe t'i krijohet atij një mundësi më shumë nesër, që ai të ketë një shans më shumë të përmirësojë jetën në standard, jo të mbushtë barkun sot. Qytetarët prandaj blihen dhe shiten në Shqipëri se janë tmerrësisht shumë të varfër."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat