Kriza e energjisë/ Rama mbledh sot qeverinë, do të prezantojë planin për mbrojtjen e qytetarëve dhe biznesit të vogël

Shqipëria

Kriza e energjisë/ Rama mbledh sot qeverinë, do të prezantojë planin për mbrojtjen e qytetarëve dhe biznesit të vogël

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 08:27
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të premte (8 tetor) qeverinë për të diskutuar mbi paketën ligjore për të përballuar ndikimin që do të ketë shtrenjtimi i energjisë në tregjet globale.

Mbledhja pritet të fillojë në orën 09:00 dhe më pas Rama do të mbajë një konferencë për mediat, ku do të prezantojë planin për mbrojtjen e qytetarëve dhe biznesit të vogël nga efekti që mund të ketë një rritje e pakontrolluar e çmimeve.

"Vala e çmimeve ndërkombëtare sigurisht që prek edhe brigjet e Shqipërisë, por ne jemi të gatshëm të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël.Shumë shpejt brenda javës Kryeministri do të shpalosë vetë platformën për mbrojtjen e konsumatorit familjes dhe sipërmarrjen e vogël", deklaroi Ahmetaj të mërkurën pas mbledhjes së qeverisë.

Vetë Rama dje në Kuvend ndërsa debatonte me opozitën u shpreh: "Zgjedhja ime është të respektoj inteligjencën e këtij populli, ti them kjo është situata, kjo është përballja. Nuk do ta lëmë vetëm as tani. Mos u ngutni t'u thoni do tu rrisë çmimin e energjisë gogoli se do të dilni shumë keq". 

E ndërsa Qeveria pritet të subvencionojë familjet me të ardhura të ulëta dhe bizneset e vogla, çmimet e larta do të duhet ti përballojnë bizneset e mesme dhe të mëdha si dhe personat që kanë paga të mesme dhe të larta.

Në fakt rritja e çmimeve ka nisur të ndihet por ministrja e Financave ka paralajmëruar se do të ketë një tjetër shtrenjtim.

Kundër kësaj situate në rrethe dhe në Tiranë kanë nisur protestat, ku kërkohet ndërhyrja e qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat