Berisha paralajmëroi protesta kundër rritjes së çmimeve, Baçi: Kështu trembte Nanon. Rama populist, nuk ka turp

Shqipëria

Berisha paralajmëroi protesta kundër rritjes së çmimeve, Baçi: Kështu trembte Nanon. Rama populist, nuk ka turp

Më: 10 tetor 2021 Në ora: 19:15
Agim Baçi

E ndarë në dy fronte, Partia Demokratike edhe zgjidhjet që ofron si reagim ndaj krizës së energjisë dhe rritjes së çmimeve i ka të ndryshme.

Kreu i PD Basha ka propozuar një plan me 7 pika, ndërkohë lideri historik i demokratëve Berisha bëri thirrje një ditë më parë nga Elbasani  për protesta të fuqishme kundër rritjes se çmimeve.

Publicisti, Agim Baçi, në një intervistë për Rtv Ora me gazetarin Sebastian Zonja thotë se gjuha e Berishës nuk përkon me kursin politik të Ramës.

Duke ju referuar si një lider populist, Baçi thotë se Rama nuk ka turp as kur kapet "në flagrancë" me skandalea po shkelje të ligjit, duke sjellë në vëmendje rastin e patronazhistëve që nuk lë rast pa i falenderuar edhe publikisht.

Në gjykimin e tij opozita ka nevojë për një zgjim por jo përmes Berishës.

Baçi: Është në ligjërimin e zotit Berisha që ti çojë në ekstrem, këto do të jenë më të mëdhajat, këto do të jenë më të jashtëzakonshmet. Kjo gjuha nuk i bën punë mënyrës sesi funksionon zoti Rama, ai ndoshta me këtë ka në mendje kur trembte zotin Nano kur ishte kryeministër. Rama nuk para shqetësohet dhe e ka treguar këtë. Po të shohim debatin e fundit që bëri në televizion me përfaqësuesin e protestës Adriatik Lapaj, kishte një tendecë që ti shuante dhe ti kontrollonte. Nuk është se ai fshihet, del dhe tenton të zhbëjë atë që është e rëndësishme për qytetarët që të kërkojnë llogari. Nuk besoj se duhet një thirrje politike. Nëse qytetarët duan vetëm thirrje politike jemi në një situatë problematike të madhe.

Qytetarët duhet të ngrihen aty se dritat i paguajnë vetë jo partitë politike, ujin, bukën, transportin. Po u rrit energjia dhe karburantet, automatikisht do të rriten të gjitha çmimet. Gjithçka që rritet, rritet për shkak të tyre, transportit dhe energjisë.Kam ndjekur dhe propozimet e Bashës, mund të jetë e gabuar se Rama nuk i dëgjon propozimet e opozitës.

Edhe kur i merr nuk i thotë. Berisha ndoshta më shumë se ti bëjë presion qeverisë kërkon ti bëjë presion zotit Basha, duke e çuar në një pikë që mungesa e protestave masive është faji i keqmenaxhimit të drejtimit të opozitës. Por po të kthejmë kokën këto 8 vite kemi pasur protesta të mëdha por protestat kanë treguar se nuk e ndryshojnë qeverinë. Nëse nuk ngrihen të gjithë qytetarët, vetëm protesta politike nuk e ndryshon. Po të shikoni, pse kryeministri është i shqetësuar që të mos ketë qytetarë në shesh?

Sepse në praktikën e tij ka qenë të ketë vetëm opozitë dhe mazhorancë dhe në logjikën e vet politike çdokush thotë se opozita gjithmonë kritikon se do të vijë vetë në pushtet. Ama nëse ka qytetarë të zemëruar atëherë ndryshojnë gjërat. Këtë është munduar të shmangë këto 8 vite, të mos ketë qytetarë të zemëruar. Kur ka reaguar Rama? Në rastin e armëve kimike, protesta e studentëve, me rastin e vrasjes së Klodian Rashës.

Gjithmonë kur janë ngritur qytetarët ai ka reaguar për të treguar se do të kontrollojë zemërimin e tyre, do të shuajë zërin e qytetarëve, do të lejojë vetëm çështje politike. Edhe Teatrin e çoi në atë pikë sa të dukej sikur ishte një kauzë e PD, në fakt ishte një kauzë e qytetarëve. Po të kishte lënë kauzën të ecte ashtu siç ishte, e qytetarëve. Dështuan qytetarët, nuk dështoi PD për të mbrojtur Teatrin. Po të ishin të gjithë atë natë në atë shesh nuk do të kishte buldozerë që do ta shembte.

Kemi të bëjmë me një populist, ndaj them se gjuha e zotit Berisha është e pakohë dhe ajo që i kërkon PD është e pakohë sepse Rama nuk funksionon si zoti Nano. Rama nuk ka turp kur…e keni parë, thotë faleminderit patronazhistë! Këshilli i Europës, OSBE, të gjithë thonë se ka shkelur ligjin, ai thotë faleminderit. Ai krenohet dhe kur shkel ligjin, edhe kur bën gabim. Nuk mund të bësh më opozitë me gjuhën e kaluar.

Ndoshta PD vërtet ka nevojë për një zgjim të madh, ndryshim brenda vetëvetes por jo rikthim në të shkuarën. Nuk i shërben fare. Me këtë lloj raporti, me gjuhën e zotit Berisha që do reformojë, duke pasur parasysh PD që ka pasur, ndërkohë që Rama ecën në një tren krejt tjetër, duket e pakohë. Çdo vonesë dhe çdo rikthim duket e pakohë, por ka ca rikthime të tjera që janë kaq të pakohë sa duket sikur i japin avantazh qeverisë që të bëjë atë propagandën e vet dhe të bëjë cirkun e përditshëm që Rama e kontrollon përmes komunikimit të tij. Nuk mund ti kërkojmë Bashës të njëjtën llogari si Ramës, se Rama i merr vendimet, jo Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat