Ankandi i OSHEE-së nuk arriti të siguronte sasinë e kërkuar të energjisë elektrike për periudhën 13-17 tetor.
Furnizuesi i Tregut të Lirë SH.A, pjesë e shoqërisë OSHEE Group, i cili zhvilloi ankandin arriti të siguronte vetëm 24,920 MWh nga 44.400 MWh.
Ankandi u zhvillua në 3 faza përmes platformës online.
Në këtë procedurë, në të cilën morën pjesë 10 shoqëri vendase dhe të huaja, rezultoi se u sigurua me çmim mesatar 255.79 Euro/ MWh, rreth rreth 6.4 milionë Euro energji.
Furnizuesi i Tregut të Lirë SH.A sqaron se për plotësimin e sasisë së energjisë së kërkuar u zhvillua një ankand i dytë, në të cilën gjithashtu nuk u arrit të sigurohej sasia e energjisë së kërkuar. Pavarësisht zhvillimit të dy ankandeve, nuk u arrit të sigurohej sasia e kërkuar.
Administratorja e kompanisë FTL, Erina Rexhepi, sqaroi për mediat procedurën që ndiqet për blerjen e energjisë elektrike., procedurë e cila realizohet bazuar në Rregulloren e miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë me Vendimin Nr. 103, datë 23.06.2016.
Rexhepi u shpreh se është platforma IT online e cila bën automatikisht vlerësimin e ofertave mbi kriterin e çmimit më të ulët dhe plotësimit të sasisë së kërkuar për tu blerë.
Me qëllim rritjen e sasive të ofruara dhe mundësisë së uljes së çmimit mund të realizohen faza optimizimi. Furnizuesi i Tregut të Lirë SH.A do të marrë masat e nevojshme për plotësimin e sasisë së nevojshme të energjisë elektrike.