Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi se pas shkrimit për një pakt të mundshëm për zgjatjen e mandatit të vetingut, ka marrë shumë reagime brenda PD.
Z. Bylykbashi tha se kryeministri Edi Rama po synon që t’i ofrojë opozitës reformën territoriale me kushtin që të votojë zgjatjen e procesit të vetingut.
“Oferta që Rama po bën, unë e quajta ofertë në fakt ajo është përpjekje e Ramës për të arritur një objektv. Të marrë vetingun me kuptimin që të zgjasë mandatin e këtyre që janë aktualisht në detyrë që ne i kemi akuzuar. Ti zgjasi PD me duart asaj mandatin është fundi”, tha deputeti i PD.
Ai tha se gjatë mbledhjes së kryesisë së grupit parlamentar të PD ka pasur pyetje ngacuemes dhe insinuata por edhe akuza për performancën e tij në të shkuarën.
“Basha i vuri firmën duke thënë se nuk i kam lexuar reagimet por nuk i heq asnjë presje”, tha Bylykbashi.
Sipas tij Komisioni i Venecias thotë që vetingu duhet të jetë sa më i shkurtër, maksimumi 5 vjet dhe në vend të zgjatjes së mandatit mund të gjendet një zgjidhje tjetër.
“Nëse biem në këtë kurth dëmtojnë interesin e opozitës”, shtoi deputeti i PD për Qarkun e Durrësit.