Në Shqipëri rriten me 9.4% vdekjet nga aksidentet

Shqipëria

Në Shqipëri rriten me 9.4% vdekjet nga aksidentet

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 21:22
Foto ilustrim

Instituti i Statistikave në Republikën e Shqipërisë (INSTAT) ka publikuar raportin e aksidenteve për periudhën 9-mujore.

Sipas tij, përgjatë kësaj kohe kanë humbur jetën në aksidente 151 persona.

Kjo shifër ka shënuar një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, e cila shënonte 112.

Por, shifrat e këtij viti, në krahasim me atë të 2019-ës, janë 4.3% më pak.

Në muajin shtator 2021, aksidentet rrugore, në 84,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Image

Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 33,3 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 23,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në nëntëmujorin e vitit 2021, aksidentet rrugore, në 15,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit.

Meshkujt përbëjnë 76% të rasteve totale të vdekjeve nga aksidentet këtë vit.

Ky nëntëmujor paraqitet me një rritje prej 13,4 %, ku numërohen 1 mijë e 24 aksidente rrugore nga 903 aksidente të ndodhura në nëntëmujorin e vitit 2020.

Në nëntëmujorin e vitit 2021, numri i të aksidentuarve është 1 mijë e 391 persona nga 1 mijë e 164 persona në nëntëmujorin e vitit 2020.

Masat parandaluese që mund të merren

Eksperti për sigurinë rrugore, Fatmir Hasho, ka propozuar disa nga masat që duhet të ndërmerren për shmangien e aksidenteve rrugore.

Sipas tij, rol kryesor luan edukimi për sigurinë rrugore, qoftë për drejtuesit e mjeteve, qoftë për këmbësorët.

Ai nuk lë pas as autoshkollat, ku propozon zgjatje të kohës së marrjes së lejeve të drejtimit, lidhur kjo edhe me orët e praktikës.

Për sa i përket rastit të policisë rrugore, eksperti thotë se është e vetmja që po bën punën, por është e pafuqishme përballë gjithë kësaj situate.

Në përmbyllje, ai thotë se duhet të krijohet një Komitet i Sigurisë Rrugore në rang kombëtar, që t’i përcaktojë qartë të gjitha piketat në çfarë rrugësh duhet të ecet.

Image

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat