Ministri i Drejtësisë ka bërë me dije se do të rriten pagat për punonjësit e policisë së burgjeve.
Në një deklaratë për mediat pas miratimit të projekt-buxhetit për vitin 2022, Manja thotë se qveria ka vendosur që punonjësit e strukturës anti-korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë të jenë të mirëpaguar me trajtim financiar të posaçëm, në mënyrë që të mos tunden nga korrupsioni
Ulsi Manja: "Projekt Buxheti ka dy lajme të mira edhe për Ministrinë e Drejtësisë. Do rriten pagat për punonjësit e policisë së burgjeve duke i barazuar për gardë dhe për funksion me punonjësit e policisë së shtetit. Lajmi i dytë i mirë ka të bëjë me suksesin e luftës kundër korrupsionit. Para dy ditësh miratuam krijimin e drejtorisë anti-korrupsion. Sot me këtë buxhet për të ruajtur integritetin e kësaj strukture, njësia përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë do të ketë një trajtim financiar për të mos u tunduar nga korrupsioni me qëllim luftën frontale ndaj korrupsionit".
Po ashtu koordinatorët e rrjetit anti-korrupsion qtë do të operojnë në 47 institucione do të paguhen njësoj sa zv/drejtori i institucionit ku ata do të vendosen për të monitoruar.
Ulsi Manja: "Ndërsa koordinatorët e rrjetit anti-korrupsion në 47 institucione shtetërore do jenë të mirëpaguar dhe në strukturë do jenë të barabartë me zv/drejtuesin e institucionit që do monitorojnë. Përfituese është edhe drejtoria e kodifikimit të Ministrisë së Drejtësisë".