Ministria e Arsimit ka reaguar në lidhje me skandalin ku lagjja e të pasurve në periferi të Tiranës, iu paraqit fëmijëve në librin e historisë së klasës së katërt si modeli i fshatit shqiptar.
Ministrja Evis Kushi bën me dije se ka zhvilluar një takim me drejtuesit kryesorë të rrjeteve profesionale.
"Nisur nga shqetësimet e ngritura së fundmi në lidhje me ndonjë pasaktësi apo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit në tekstet tona mësimore, zhvilluam në MAS një takim me drejtuesit kryesorë të rrjeteve profesionale, të cilët u angazhuan që së bashku me stafet e specializuara të rishikojnë në detaje të gjitha tekstet në arsimin tonë parauniversitar," tha Kushi.
Ajo nënvizoi: "Para pak vitesh ne kemi realizuar një reformë të thellë, duke u dhënë mundësi nxënësve tanë që të mësojnë me tekste më cilësore, por puna do të vazhdojë pa u ndalur për të garantuar standarde të larta dhe cilësi në të gjitha aspektet e procesit mësimor".
Ndër të tjera, Ministrja Kushi thotë se në fokus të takimit kanë qenë gjithashtu zhvillimi profesional i mësuesve, trajnimet e tyre të vazhdueshme, shkëmbimi i përvojave pozitive, si dhe informimi në kohë për risitë në fushën e mësimdhënies.